Për të gjithë ne është vërtet shumë e vështirë dhe e rëndë ndarja kaq papritur dhe po kaq e parakohshme e jona prej njeriut tonë të afërt e të dashur, mikut dhe kolegut të vyer, Kasemit të paharruar!

I lindur dhe i rritur në një familje të nderuar, të udhëhequr nga fisnikëria njerëzore, respekti, puna dhe ndershmëria, miku ynë reflektonte më të mirat e virtyteve të familjes dhe vendlindjes së tij, të cilat i deshi shumë!

Me vullnet dhe përkushtim, Kasemi pati përfunduar studimet e larta në Shkollën Ushtarake dhe falë rezultateve të shkëlqyera dhe cilësive të veçanta e pozitive në jetë, në shoqëri dhe profesion, u vlerësua duke u emëruar pedagog në Akademinë e Mbrojtjes, ku gëzoi dashurinë dhe respektin e studentëve dhe kolegëve ushtarakë.

Me sensin e realizmit dhe pragmatizmit që e karakterizonin, ai iu përshtat në vijimësi ndryshimeve historike të vendit dhe falë këmbënguljes për të realizuar aspiratat që kishte, e gjeti shpejt veten mes atyre që iu përkushtuan botës së mediave, pushteti dhe roli i të cilave, në trajektoren demokratike të vendit tonë, merrte… një rëndësi dhe përgjegjësi të veçantë. Gjatë kohës kur Kasemi ishte në drejtim të një prej grupeve më të fuqishme mediatike të shtypit të shkruar dhe atij televiziv, kam pasur fatin dhe kënaqësinë e veçantë të jem bashkëpunëtor dhe koleg me të, duke fituar gjithashtu një mik të vyer.

Për të gjithë ata që e kanë njohur si koleg dhe bashkëpunëtor, Kasemi ishte jo vetëm një drejtues i përkushtuar dhe i palodhur, por edhe një mbështetje e pakursyer profesionale dhe njerëzore.

Pas përvojës së gjatë në administrimin e mediave më të njohura të vendit, si “PANORAMA”, “GAZETA SHQIPTARE” dhe “NEWS 24”, ai, me kurajë, ndërmori një projekt të ri në media, duke themeluar dhe ngritur televizionin informativ “FAX NEWS”, ku spikati me qasjen e paanshme dhe përkushtimin ndaj gazetarisë në mbrojtje të vlerave qytetare, duke ndërtuar një media të hapur dhe të balancuar, në traditën më të mirë të nisur më parë si bashkëpunëtori më i afërt i z. Irfan Hysenbelliu.

“FAXNEWS” dhe “FAXWEB” ishte projekti i tij i jetës dhe ndaj tyre ai u përkushtua, i udhëhequr nga përvoja dhe vlerat më të larta profesionale, duke krijuar një familje të madhe kolegësh, bashkëpunëtorësh e miqsh, për të cilët Kasemi do të mbetet i paharruar për të gjitha vlerat e vyera profesionale e njerëzore që reflektoi gjatë rrugëtimit me ta që prej vitit 2017.

Investimi i tij në media udhëhiqej gjithashtu nga vlerat kombëtare, me një vërtetësi dhe sinqeritet të hapur ndaj tyre, falë të cilave i dha mjedisit mediatik një media të re dhe të pavarur, me potencial të lartë për t’u konsoliduar dhe rritur.

Gjatë jetës së tij Kasemi pati fituar shumë beteja, i udhëhequr gjithnjë nga e mira më e lartë, por nuk arriti ta fitojë dot këtë betejë të fundit me të keqen e mishëruar te një virus tinëzar dhe i rrezikshëm. Me gjithë rezistencën fizike dhe optimizmin që e karakterizonte deri në ditën e fundit, në spitalin ku u mjekua në Turqi, ne të gjithë, dhe as mjekët, megjithë përpjekjet e vazhdueshme, nuk mundëm ta shpëtonim dhe të bënim mrekullinë për atë vetë, bashkëshorten e një jete të tërë, fëmijët, nënën dhe vëllezërit!

Po ndahemi prej Kasos, mikut tonë të mirë, me dhimbjen më të thellë e trishtimin më të madh, duke ruajtur kujtimin dhe dashurinë për të, në mendje e në zemër përjetësisht! I qoftë i lehtë dheu e pushoftë në paqen e përjetshme miku ynë i shtrenjtë!

*Fjala e mbajtur gjatë ceremoninë mortore të ndarjes nga jeta të Kasem Hysenbelliut

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb