Kur isha e vogël, më thoshin që babai im, Alqi është poet shumë i njohur. Atëherë nuk e rrokja madhështinë e tij. E kuptova me të vërtetë forcën e penës së tim eti, vetëm kur takohesha me shqiptarë në Greqi dhe prezantohesha si e bija. Shikoja në sytë e tyre respekt dhe admirim për tekstet e këngëve që krijoi”. Amoela Boshnjaku ndjen boshllëk kur kanë kaluar 20 vite pa të atin.

Poeti e tekstshkruesi u nda nga jeta më 20 shtator të vitit 1998, ende i ri, me shumë projekte në duar dhe me një vullnet e pasion të madh për skenën e tingujt. Përmes rrëfimeve të familjarëve “GSH” synon të përkujtojë njeriun e artistin, babain e poetin, që gjurmët e tij të mos fshihen e që emri i tij të mos mbetet vetëm në arkiva. Shtysa për këtë shkrim u bë Anila Boshnjaku, që në një bisedë të rastësishme, kujtoi kushëririn e saj, që është ende kaq pranë në kujtimet e atyre që e deshën.

E BIJA
Dy dekadat pa të kanë qenë të vështira. Amoela kujton sot se kur babai i dha librin e parë, e këshilloi të lexonte dhe të kishte vullnet në jetë. Nuk e harron kurrë porosinë e tij që “një njeri pak i zgjuar po me shumë vullnet ecën më shumë në jetë, se sa një njeri shumë i zgjuar por pa vullnet”. Kujton se babait i pëlqente shumë t’i dhuronte libra e në të tërë ata shënonte me penën e tij një mesazh për të në faqen e parë. “Kam lexuar shumë libra këto 20 vitet e fundit. Ajo që më mungon më shumë është që nuk arrita kurrë të bisedoj me të për ndjenjat që më krijuan faqet e librave dhe t’i them sa të drejtë kishte atëherë”! Të afërmit e mbajnë mend si një njeri shumë të dashur, të ndjeshëm. “Në sytë e tij lexohej dukshëm një dashuri ekstreme për vajzën dhe për nënën e tij. Por dashuria në konceptin e tij kishte një përmasë shumë më të gjerë njerëzore. Kur e pyetën Alqin se cila është për ty dashuria më e madhe, ai u përgjigj: “Unë nuk do t’i klasifikoja dashuritë. Të duash do të thotë të duash një mik, një shoqe, të dashurën tende. Nuk ka vetëm një dashuri të madhe. Tani për tani, dashuria ime më e madhe është për vajzën time, Amoelën”, thotë Anila Boshnjaku, kushërira e Alqit.

Shkrimin e plote e lexoni ne Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb