TIRANE-Gjykata Kushtetuese nuk pranoi ankimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë kundër vendimit që rikthen në Gjykatën e Apelit ish-Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. Rama ka nisur prej tre vitesh një beteje ligjore me KLD-në e cila refuzoi ta emërojë gjyqtare në Apel pas përfundimit të mandatit si kryeprokurore.

Gjykata Kushtetuese i dha fund betejës ligjore të ish-kryeprokurores Ina Rama e cila kërkoi rikthimin në Gjykatën e Apelit pas përfundimit të mandatit në krye të prokurorisë shqiptare, shkruan sot ‘Mapo’.

Prej tre vitesh znj.Rama është përballur me Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe të trija shkallët e gjyqësorit, duke përfunduar madje dhe në Gjykatën Kushtetuese. Ishte KLD ajo që dërgoi çështjen në Kushtetuese ku kërkoi shfuqizimin e vendimit që rikthen në Gjykatën e Apelit ish-kryeprokuren Rama.

Ky ka qenë thelbi i betejës ligjore që ka zgjatur për rreth tre vjet, pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka refuzuar kërkesën e ish-kryeprokurores për t’u rikthyer në Gjykatën e Apelit.

Por me vendimin e djeshëm Gjykata Kushtetuese mbyll përfundimisht këtë debat duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ që i jep të drejtën znj.Rama për të qenë pjesë e Gjykatës së Apelit Tiranë.

Historia nisi në nëntor të vitit 2013, kur ish-Prokurorja e Përgjithshme iu drejtua Këshillit të Lartë të Drejtësisë me një kërkesë për emërimin si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Kërkesa e saj u bazua në Ligjin për Prokurorinë i cili parashikon se pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme, ose në vendin e mëparshëm apo në një vend të barasvlefshëm me vendin e mëparshëm.

Me kërkesë zyrtare të ministrit të Drejtësisë, kjo kërkesë është përfshirë si çështje e veçantë në rendin e ditës të mbledhjes së datës 24.02.2014 të KLD-së.

Pas shqyrtimit të çështjes, KLD-ja ka vendosur rrëzimin e kërkesës me argumentin se ish-Prokurorja e Përgjithshme duhet të rikthehej në vendin e mëparshëm të punës, pra në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Por ky propozim është kundërshtuar nga znj.Rama e cila ka argumentuar se gjatë drejtimit të prokurorisë ajo ka iniciuar shumë çështje penale një pjesë e të cilave gjykohen edhe në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Për pasojë ajo nuk mund të jetë pjesë e gjykimit të këtye çështjeve. Por KLD nuk e mori parasysh këtë argument duke vendosur rrëzimin e kërkesës së saj për t’u emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Ish-prokurorja e Përgjithshme paditi vendimin e KLD-së në Gjykatën Administrative, por kërkesa e saj u rrëzua.

Ajo më pas i është drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit, e cila pranoi pjesërisht padinë e ish-kryeprokurores dhe vendosi të detyrojë KLD-në t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e Ina Ramës në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Kjo gjykatë ka argumentuar, mes të tjerave, se është në diskrecionin e funksionarit publik, në kuadër të funksionit si ish-Prokuror i Përgjithshëm, që mes disa alternativave të dhëna nga ligji të zgjedhë një vend pune të mëparshëm ose të barasvlefshëm me vendin e mëparshëm.

KLD nuk është pajtuar me këtë vendim dhe i është drejtuar Gjykatës së Lartë, por kjo e fundit nuk e ka pranuar rekursin duke lënë në fuqi vendimin që i jepte të drejtën ish-Prokurores së Përgjithshme për t’u emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë.

KLD nuk e la me kaq betejën ligjore, por bëri një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të cilës i kërkoi të shfuqizojë vendimin për mospranimin e rekursit dhe të dërgojë çështjen për rigjykim në Gjykatën Administrative të Apelit me një tjetër trup gjykues.

Sipas KLD është cënuar e drejta e aksesit në gjykatë pasi Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit, duke mos u dhënë zgjidhje shumë problemeve të ngritura në rekurs, që kanë të bëjnë me interpretimin e ligjit dhe që janë detyrë funksionale e këtij kolegji dhe e Gjykatës së Lartë.

Por Gjykata Kushtetuese vendosi të mos e kalojë çështjen në seancë plenare duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit që detyron KLD-në t’i propozojë Presidentit emërimin e ish-kryeprokurores Ina Rama në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Tashmë pritet qëndrimi i KLD-së për vendimin e gjykatës.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: