Presidenti Ilir Meta mori sot pjesë në ceremoninë e inaugurimit të bustit të Papa Shën Gjon Palit të ll në Tiranë.

Në fjalën e tij, Meta thotë e cilëson atë si ”Papa i lirisë” dhe i çlirimit nga murtaja e komunizmit.

Sipas Metës, Enver Hoxha për përndjekjen ndaj fesë ia kaloi edhe Stalinit, por falë drejtimit të Papës Shqipëria u rikthye në rrugën e lirisë dhe të Zotit, në të cilën do vazhdojë përgjithmonë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

NJOFTIMI NGA PRESIDENCA

Presidenti Meta merr pjesë në ceremoninë e Inagurimit dhe Bekimit të bustit të Papa Shën Gjon Palit të II, në mjediset e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.

26 gusht 2020                     

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë sot në ceremoninë e Inagurimit dhe Bekimit të bustit të Papa Shën Gjon Palit të II, në mjediset e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Ambasada Polake në Tiranë, nën kujdesin e ambasadorit Karol Bachura dhe Presidentit të Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë” Daniele Bertoldi, organizuan këtë aktivitet me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Papa Shën Gjon Palit të II dhe 110-vjetorit të lindjes së Shenjtores Nënë Tereza.

Presidenti Meta në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh:

“Jam i lumtur që marr pjesë dhe nuk  mund të mungoja sot në këtë ceremoni pasi për ne Papa Gjon Palin është “Papa i lirisë” dhe i çlirimit nga murtaja më e rrezikshme që ka njohur kjo tokë, që ishte komunizmi. Shpesh thonë që Enver Hoxha ishte stalinist, por për përndjekjen ndaj fesë ia kaloi dhe Stalinit. Këtë më mirë nga kushdo e dinë të gjithë shqiptarët, por e di edhe kleri katolik.  Por falë Zotit edhe në drejtimin e Papës të tij së paharruar, Shqipëria u rikthye në rrugën e lirisë dhe në rrugën e Zotit dhe do të vazhdojë kështu përgjithmonë.”

Në ceremoninë e organizuar merrnin pjesë, drejtues të Fondacionit ‘Zoja e Këshillit të Mirë’, ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik, akademikë si dhe udhëheqës të besimeve fetare.

Busti i Papa Vojtilës, u realizua nga “Skulptori i Popullit”, Mumtaz Dhrami, i cili u dekorua sot nga shteti polak me medaljen “Gloria Artis”, në shenjë vlerësimi për punimet kushtuar personaliteteve polake.

Bekimi i bustit të Papa Shën Palit të II u dha nga Arqipeshkvit Metropolitan Tiranë-Durrës. Imzot George Frendo.

Papa Vojtila është Papa i parë që vizitoi Shqipërinë post-komuniste në vitin 1993.

Sot, në përurimin e bustit të Papa Vojtilës dhe kremtimin e 100-vjetorit të lindjes së tij, sjellim në vëmendjen tonë, momentet e paharruara dhe emocionuese ku sapo ai zbriti në tokën shqiptare, e puthi dhe e bekoi atë.

Vizita e tij, ringjalli shpresën e besimit dhe shpresën për të ardhmen e popullit shqiptar, i cili kishte fituar lirinë, pas viteve të gjata të diktaturës. Nga sheshi “Skëndërbej” Ati i Shenjtë, iu drejtua shqiptarëve me një fjalim historik; “Ty o popull fisnik shqiptar, në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe ateizmi mbytësShqipëri qëndro në lartësinë e detyrave që të presin, të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”. u shpreh shënjteria e tij nga Tirana në prill të vitit 1993.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb