* Rama: Më parë 200 mijë qytetarë prisnin si në mesjetë, tani është transformuar

TIRANE- Është inauguruar sot komisariati i ri i Policisë Rrugore të Tiranës. I pranishëm në ceremoninë e përurimit, kryeministri Edi Rama tha se sot shërbimet për qytetarët ofrohen në kushte komode, ndërsa shtoi se me parë njerëzit prisnin radhën që në orën 04:00.

“Vinit shpesh në këtë territor për të parë sesi torturoheshin njerëzit përballë një ngrehine të përuarar në 1981 dhe të degraduar skajshmërisht. Njerëz të detyruar që të zinin radhë që në 4 të mëngjesit për të paguar shkeljet e qarkullimit rrugor. Rreth 200 mijë njerëz në vit përballeshin me një situatë që as në mesjetë nuk mund të gjendej”, tha kreu i Qeverisë.

Kryeministri ka shtuar se, “ky është një investim i kryer në bashkëpunim me sipërmarrjen private, pa nxjerrë as një para nga buxheti, si pjesë e programit të Rilindjes së Policisë së Shtetit nga një trupë e tradhtuar dhe e braktisur, në një trupë që gjithnjë e më shumë i ngjan trupave simotra kudo në Europë”.

Rama shprehu, “respekt për drejtuesit e Policisë që të çliruar nga kthetrat e politikës që i mbante në trysni të përditshme tashmë janë në krye të detyrës në shërbim të qytetarëve”.

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar punën e bërë nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Rama tha se ministri “është në fokus të baltosjes nga ata që nuk ditën të bëjnë shtet”.

“Puna e ministrit meriton çdo lëvdatë, pasi jo më kot meriton gjylet e përditshme të baltës së SHQUP-it që janë në fakt komplimenti më i mirë për punën e minsitrit. Kompliment që vjen nga ata që vetëm shtet nuk njohin dhe nuk ditën të bëjnë. Dhe teksa shohin se si bëhet shteti, asgjë s’dinë të bëjnë veçse të gjuajnë me topa balte ndaj Policisë së Shtetit që është shembulli që duhet të ndiqet nga të gjithë”, tha kryeministri Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb