Afera e inceneratorëve dhe arrestimet e fundit me urdhër të SPAK ishin temë diskutimi në studion e emisionit “Pikat mbi I”.

Analisti Artur Zheji, njëri prej të ftuarve në studio tha se Bllako mund të shpallet i penduar dhe të zbulojë korrupsionin në nivele të larta. Kjo gjë u konfirmua edhe nga Lala, gjithashtu e ftuar, por tha se pritet që Bllakos t’i ndalohet e drejta e ushtrimit në administratës publike për 5 vite.

A do të jetë i penduar?

Lala: Unë mendoj që Bllako është fytyra perfekte e një të penduari ditën e nesërme. Mendoj se mund të pendohet, por nëse do të hapte gojën do të kishim shumë surpriza dhe do të kishte shumë zhvillime. Mënyra se si ai artikulon, është njeriu perfekt dhe hallka më i dobët. Kur anëtarët e krimeve të rënda, kur tentuan për bandën e Durrësit e morën me një person, që nuk ishte personi i duhur. Por Coli foli shumë shpejt dhe tregoi të gjitha. Orët e errëta na ngatërrojnë historinë. Ajo nuk është aferë e Bllakos, përshin nivelet më të larta të qeverisjes.

Zheji: Në vitin 2008 deri në 2013 ka qenë në sektorin organizativ të PD. Ai ka qenë në krahun e fituesit. Pas vitit 2013, ky kalon me LSI. LSI atë kohë bën marrëveshjen e 1 prillit dhe fitohen zgjedhjet e 2013, PD shkon në opozitë dhe Bllako shkon te LSI te pushteti i ardhshëm. Shkon dhe fiton punë te Koka. Pas pak vitesh, kur LSI del nga koalicioni, ky punon ca kohë në Presidencë. Ky njeri, ndjek rrymat e forcës. Nëse prokuroria nën presionin e saj do të jetë e fortë për t’i kërkuar llogari dhe zbërthyer, ky çmontohet. Nëse garantuesit i kanë bërë kërcënim të fortë, ky është tani në ditën më të vështirë të jetës së vet. Ka mallkuar veten që është futur në këtë punë. Ky është tensioni. Ky edhe mund të mbijetojë pa hapur gojën, por s’e shoh fytyrë rezistente. Ai ka marrë vetëm kremin e tortës.

Lala: Me çfarë kam biseduar, mendoj që SPAK duhet të shkojë edhe më lart. Duhet të preken njerëz të pushtetshëm. Të kalosh afro 100 mln euro, padiksutim që duhet firma e ministrit të Financave. Ka shumë emra që nuk kërcasin në dosje. Në rastin e Inceneratorit të Fierit ka një akuzë zyrtare ku thuhet se është ndryshuar emërtimi i tokës. Subashi është një person që sipas të dhënave është vendimmarrës, por jo i dyshuar. Shkon te inceneratorët e tjerë, kemi të njëjtët personazhe. Ata kanë marrë miliona euro dhe ne nuk kemi inenerator. Ne nuk dimë rolin e Veliajt, Ahmetajt, Gjiknurit që ka pasur një kontratë për prodhimin e energjisë. Ne kemi aq shumë personazhe që kanë firmosur. SPAK s’na ka dhënë ende përgjigje për paratë. Ne kemi vetëm asete, por jo para që kanë marrë kompanitë inceneratore.

Zheji: Celulat e bandave të organizuara për goditje të madhe financiare mundohen të mos lënë gjurmë. Personazhi A, ai që ka dhënë idenë dhe ka dhënë pushtetin për të marrë kreditet financiare. Pastaj kalon në rrethin e tretë, këta tani mundohen të delegojnë paratë, por ai që cen paratë te këta nuk ka një fije të lidhur me atë që ka ideuar. Secili nga personazhet në kërkim, kanë disa lidhje me kokën e krimit. PSH. mund të jenë parë në aeroplan, mund të kenë qenë në fushatë elektorale. Tani duhet që nga denoncimi të kalosh te prova. Prova është shumë më e vështirë sa më lart të ngjitesh. Arrestimi i Bllakos është pozitiv. Presioni politik nuk ka munguar, qoftë nga LSI, Komisioni Hetimor, qoftë nga Berisha, Basha. Të gjithë këta kanë folur për këtë gjë. Ndërkombëtarët ndoshta kanë rol të madh. Për të kaluar te pjesa e fundit, mendoj që përgjegjësitë në kongresin e PS mund të nuhatet diçka. Rama ose do të zgjedhë të mbrojë njerëzit më të përfolur që janë kokat e fshehta të oktapodëve, ose do të ndërpresë lidhjet. Ose do i mbrojë deri në fund, ose t’i lëshojë siç u lëshua Bllako. Kongresi do të përcaktojë shumë gjëra.

Lala: Bllako për 5 vite ndoshta s’mund të punojë më. Padiksutim dosja e inceneratorëve mund të jetë një fitore për SPAK, nëse shkon deri në fund. Është aq voluminoze sa që mendoj se nuk e keni idenë se sa materiale ka për këtë dosje, 6 muaj duhen së paku për t’u lexuar e më pas për t’u vendosur. Nëse SPAK dështon në këtë dosje, do i duhet shumë kohë që të dëshmojë që është një institucion i besueshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb