Akuzat e artikuluara nga Partia Demokratike për paratë që përfundojnë në xhepat e pronarëve të inceneratorëve dhe dërgimi i çështjes në SPAK nga Nisma Thurje janë komentuar sot në studion e lajmeve në News 24, nga analisti Mentor Nazarko.

“E para, mua nuk më pëlqejnë akuzat që vijnë nga partitë politike. E dyta, nëse do i besojmë qasjes institucionale, le të presim që të flasin institucionet. Këto janë akuza të rënda. Nëse i besojmë reformës në drejtësi, funksionimit të SPAK, le të presim të vërtetohen ato, ndaj duhet durim. Akuzat nuk formulohen profesionalisht nga foltoret partiake, qoftë nga zëdhënëset simpatike, apo nga vetë Basha kur bën takimet me fermerët. E quaj normale që akuzat vijnë nga shoqëria civile, por jo nga partitë. PD e vjetër e përdor rregullisht këtë qasje, dhe Basha që sot po bën një fushatë inteligjente propozuese me qytetarët, ngjan se i është përgjigjur presionit të kritikëve ndaj tij brenda PD. Personalisht nuk i besoj akuzave të formuluara nga partitë se akuza të tilla nuk janë serioze, nuk janë të qëndrueshme, përdoren si monedha shkëmbimi, për të shantazhuar palën tjetër, për të thënë se unë e di që ti ke bërë atë, por më jep KQZ që unë të heq dorë nga kjo, apo kushedi se çfarë…”,- tha Nazarko.

I pyetur se pse këto akuza i bën vetëm PD dhe jo LSI, që është po ashtu në opozitë, Nazarko u shpreh: “Nuk kam informacion për konjukturën e marrëdhënieve të brendshme midis partive opozitare, por shoh që zoti Basha ka zgjedhur një qasje konstruktive që mua më pëlqen në kontaktin me njerëzit, në njohjen e shqetësimit të tyre, në ofrimin e zgjidhjeve që janë alternativë me ato të qeverisë, Në këtë angazhim të Bashës LSI është passive. A është passive se po përgatit ndonjë koalicion të mundshëm me PS, kjo është një pikëpyetje. Supozimet, pandehmat e konspirativistëve mund të vërtetohen me ndryshimet që do ketë Kodi Zgjedhor, me koalicione parazgjedhore apo pa koalicione, me lista të hapura apo pa to. Nëse s’ do ketë ndryshime, atëherë LSI do jetë me PD”.

Më tej, Nazarko u pyet se mos ndoshta heshtja e LSI ka të bëjë me ndonjë marrëveshje të fshehtë për emrin e kreut të KLSH mes Ramë e Metës.

“Unë nuk di të them këtë gjë, mund të jetë e vërtetë, në qasjen time analitike asnjëherë nuk jam determinist. Nuk e di se kush mund të vendosë lidhje të shkurtër mes këtyre dy zhvillimeve dhe është guxim i madh ta thuash. Unë jam i prirur të analizoj mbi faktet e sigurta. E ndjej që ka një relaksim të marrëdhënieve President-Kryeministër, ndonëse ka sinusoidë shumë të thyer. Pranimin e kandidaturës për kreun e KLSH-së, e shikoj nga interesi publik: flitet për një figurë me mandat të gjatë, e cila duhet të jetë sa më përfaqësuese: ndaj kundërshtimi i tre të parave, ndoshta ka qënë dicka e arsyeshme. Nëse kandidatura e pranuar është kandidaturë solide, jo e përfolur me njerin krah apo tjetrin, ky është zhvillim pozitiv. Por që të shoh lidhje mes kësaj dhe asaj të inceneratorëve është diçka shumë e guximshme. Akuzat me karakter penal, i formulojnë prokurorët dhe vendosin gjykatësit dhe jo politikanët. Kjo që po ndodh ende mes nesh është sindromë shqiptare”, tha analisti ndër të tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb