Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, me anë të një postimi në rrjete sociale, tregon se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka përfituar të paktën 500 mijë euro nga afera e inceneratorëve.

Ajo thotë më tej se SPAK duhet të urdhërojë qeverinë që të ndalojë pagesat ndaj inceneratorit, roli i vetëm i së cilit sipas saj ka qenë qarkullimi i parave nga buxheti i shtetit.

Postimi i Monika Kryemadhit:

Nga njëra anë rriste taksat, e nga ana tjetër, Erion Veliaj i siguronte me firmën e tij, pa miratimin e Këshillit Bashkiak, një pagesë minimale të garantuar për 30 vjet, inceneratorit të Tiranës.

Lefter Koka, tashmë me CV të pasur nga Elbasani dhe Fieri, ka përfituar deri në dhjetor 2021, të paktën 500 mijë euro nga inceneratori i Tiranës.

Po po, është e vërtetë, mos u habisni, ish Ministri Koka ka marrë qokë 500 mijë euro deri në atë moment, përmes dy kompanive fiktive të lidhura me të, PIVOT-04 dhe A.S Group.

SPAK duhet menjëherë të urdhërojë Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës të ndalojë pagesat ndaj inceneratorit, roli i vetëm i të cilit ka qënë qarkullimi i parave nga buxheti i Qeverisë dhe Bashkisë në xhepat e Rilindjes!

Ruaj bindjen e plotë, se edhe përtej intimidimit nga qeveria dhe Erion Veliaj, i cili është kapur edhe në përgjim duke prezumuar se ka nën kontroll prokurorët e SPAK, ata do të dijnë të ngrihen në lartësinë e detyrës. Kanë mbështetjen time të plotë dhe inkurajoj të gjitha institucionet vendase dhe të huaja, t’i shprehin publikisht mbështetjen në këtë moment vendimtar!

Ky është moment integriteti, dhe e vërteta do na çlirojë të gjithëve!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb