Analisti Preç Zogaj, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, ka komentuar deklaratën e dhënë dje nga ish-ministri Arben Ahmetaj, në lidhje me akuzat për përfshirje në aferën e inceneratorëve.

Ahmetaj tha se duhen hetuar paratë për të shkuar tek përgjegjësit.

Zogaj u shpreh se një deklaratë e tillë po hedh dritë mbi një pistë hetimi, e cila duhet konsideruar nga SPAK.

Ai shtoi se Prokuroria e Posaçme është përballë sfidës për të hetuar zyrtarët që kanë përgjegjësi për aferën.

“‘Follow the Money’ deklaratë që hedh vështrimin drejt një piste, ndiq paratë. Por thënë nga Ahmetaj, duket se kërkon të heqë barrën e akuzave që kanë rënduar mbi të, duke e transferuar tek personazhe të tjerë, në zyrat ku firmosen paratë që u dhanë për inceneratorët. Çështja është në hetim dhe SPAK është përballë sfidës për të hetuar zyrtarët që kanë përgjegjësi për aferën.

Pjesëmarrja në debat e protagonistëve të aferës, deklaratat e tyre, kanë rëndësi për hetimin.
Kam përshtypjen se ngadalë, ata që janë përfshirë në hetim do të jenë më të hapur sepse gjithkush do të dojë të marrë me vete atë që meriton dhe jo barrën e tërë skandalit. Ose do përpiqen të çlirohen nga akuzat dhe do thonë atë që dinë.
Deklarata e Ahmetaj ka bërë jehonë sepse ai tregon një pistë tjetër dhe e hedh vëmendjen tek kjo pistë.

Duke e ditur që çdo fjalë e tij regjistrohet, është më i kujdesshëm në gjithçka që thotë.

Mund të mos vësh firma por je përgjegjës për shkak të funksionit që ke pasur dhe detyrave që ke kryer. Në vetvete nuk thotë diçka përfundimtare, nuk është deklaratë që vë pikat mbi i”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb