Partia Demokratike ka kërkuar doreheqjen dhe marrjen e masave per e ish-ministren dhe nenkryetaren e Komisionit Hetimor, Ermonela Felaj në lidhje me aferën e inceneratorëve.

Përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ Marash Logu deklaron se ish-ministrja është në konflikt interesi pasi  ka qenë pjesëmarrëse në procedurat për dhënien me koncesion të inceneratorit të Tiranës.

Sipas tij në këto kushte Felaj duhet të dorëhiqej që në mbledhjen e parë nga pjesëmarrja në këtë komision.

 

DEPUTETJA FELAJ DO TË HETOJË ISH-MINISTREN FELAJ. NËNKRYETARJA E KOMISIONIT HETIMOR TË INCENERATORËVE NË KONFLIKT INTERESI

Në datën 28 Tetor 2021, Kuvendi i Shqipërisë vendosi ngritjen e Komisionit Hetimor me objekt të veprimtarisë kontrollin e ligjshmërisë së procedurave për ndërtimin dhe administrimin e inceneratorit të Tiranës. Në përbërje të këtij Komisioni, është caktuar znj. Ermonela Felaj si anëtare dhe nënkryetare. Kjo e fundit rezulton se nga 2014 deri në 2017 ka ushtruar detyrën e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Pikërisht në këtë cilësi, ish-ministrja Felaj ka qenë pjesëmarrëse në procedurat për dhënien me konçesion të inceneratorit të Tiranës (shkresa më poshtë), që janë objekt hetimi i Komisionit.

Neni 13 i Kodit të Sjelljes së Deputetit dhe neni 11 i Udhëzuesit të Detajuar për Sjelljen në Kuvend parashikojnë detyrimin e deputetit të Kuvendit për të hequr dorë nga çdo situatë e konfliktit të interesit në fillim të mbledhjes së komisionit. Me konflikt interesi kuptohen ato situata kur deputeti është subjekti i një interesi privat që mund të ndikojë në kryerjen siç duhet të përgjegjësive dhe detyrave publike.

Në rastin konkret, rezulton se deputetja Felaj, në cilësinë e nënkryetares, ka hetuar dhe do të marrë vendime për procedurat e ndjekura nga ana e ish-ministres Felaj. Në këto kushte, është e qartë se ndodhemi në një situatë të qartë konflikti interesi dhe deputetja Felaj duhet të dorëhiqej që në mbledhjen e parë nga pjesëmarrja në këtë komision. Në kushtet kur kjo nuk ka ndodhur, do të duhet që të mblidhet Byroja e Kuvendit dhe të marrë masat e parashikuara në Rregullore. Sepse nuk mundet që deputetja Felaj të hetojë ish-ministren Felaj, dhe e para të konkludojë se e dyta ka qenë e përfshirë në aferën më korruptive të Shqipërisë në 30 vitet e fundit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: