Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se në Komisionin e Inceneratorëve duhet të pyetet në cilësinë e rolit që ka si kryeministër, e të mos angazhohen në debate të tjera.

Pyetjes se a e mbani mend mbledhjen e qeverisë ku u mor vendimi për inceneratorët, Rama iu përgjigj duke thënë se ka shumë mbledhje qeverie rutinë të këtij lloji, të cilat janë tepër normale. Ai tha se i qëndron pikë për pikë deklaratave që kanë thënë ministrat dhe ish-ministrat e qeverisë ditët e kaluara.
Debati:

Tabaku: Do tju kërkoja të evitoni komentet. Kur flasim për makineri shtetërore, flasim për makineritë. Në këtë komision ka ndodhur një gjë e çuditshme, administratorët nuk mbajnë mend, nuk dinë. A mbani mend mbledhjen e qeverisë ku ka kaluar vendimi i Këshilli i Ministrave për kontratën koncensionare të inceneratorit të Elbasanit?

Rama: Unë nuk refuzoj t’i përgjigjem asnjë pyetje. Ju duhet të bëni pyetje për rolin tim si kryeministër. Nëse do të futemi në debat bashkë jam gati t’i përgjigjem të gjithë pyetjeve tuaja.

Tabaku: Lërini komentet për cilësinë e komunikimit

Rama: Mos më ndërprit, mos interferoni, s’e kam zërin melodioz. Nuk jam këtu për të plotësuar nevojat tuaja, por për t’iu përgjigjur pyetjeve. Unë kur isha qytetar, nuk e dija si funksiononte mbledhja e qeverisë. Mbledhja e qeverisë ku merret vendimi është kurorëzimi i një procesi legjislativ për akte ligjore e nënligjore që fillon nga sektori bazë, i cili është në nevojë për aktin në fjalë në kombinim rrugës me sektorë të tjerë kalon në të gjithë ato filtra dhe vjen tek unë. Kryeministri është shumë thjeshtë, ku do të shkojmë, pse do e bëjmë dhe si do e bëjmë. Për këtë punë janë ministrat, sekretari i përgjithshëm, kanë të gjithë detyrat e veta. Ndryshe nga ju më rezulton që është zbardhur në mënyrë shembullore rruga e vendimmarrjes e akteve ligjore. Nga pikëpamje e përgjegjësive individuale para ligjit, për të cilat organi i hetimit evidenton shkelje, është një gjë që i takon gjithsecilit. Pushteti është i keq shumë, tundon të madh e të vogël. Duke pasur parasysh që nuk jam unë, por ju që më keni akuzuar si kreun e një grupi kriminal, qëndrimi im ndaj jush është tepër i sjellshëm. I përgjigjem pyetjeve një për një. Por ku më pyesni a e mban mend mbledhjen, sikur është pyetja sikur është marrë vendimi për dikë. Për mua kjo është një nga vendimet e qeverisë dhe është tepër normale. I qëndroj pikë për pikë atij vendimi qeverie e atë që deklaruan ministrat.

Tabaku: Ju faleminderit, që nuk keni dijeni për një vendim të Këshillit të Ministrave për të cilën sot është një ministër në burg.

Rama: Mos më cito sipas qejfit. Mua më cito sipas qejfit. Unë jam këtu, i gjallë, fatkeqësisht për ju. Unë të thashë që pyetja e e mban mend një mbledhje qeverie nuk bën sens. Mos ofendoni inteligjencën time.

Tabaku: Do të përpiqeni. Nuk e mbani mend…

Rama: Edhe njëherë tjetër, nuk jam nervoz, kam problem ofendimin e inteligjencës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb