Deputetja e PD Ina Zhupa, në “News24” u shpreh se në Komisionin Hetimor,  janë thirrur për të dëshmuar edhe zyrtarë të lartë, të cilët do të dëshmojnë duke nisur nga dita e nesërme.

Zhupa u shpreh se inceneratorët janë një skemë e mirëfilltë e pastrimit të parave.

“Komisioni ka tagër që nëse dy herë refuzohet herën tjetër shoqërohet në polici për t’u marrë në pyetje, është rregull që të mos kenë mundësi që të evitojnë ardhjet në komisione. Nga nesër nis pyetja e zyrtarëve të lartë. Ish-ministri Shkëlqim Cani nuk ka pranuar të ishte pjesë e procedurave…”, tha Zhupa.

Gjatë bisedës në studio, Zhupa tha se Emiriana Sako është bërë pjesë e aferës korruptive.

Gjithashtu ajo theksoi se edhe kryeministri Edi Rama është thirrur që të dëshmojë, ndërsa u shpreh se nga ana e tij mund të përdoren mënyra të ndryshme për t’ju shmangur përgjegjësive.

“Kemi të bëjmë me një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave. Dje ish-administratori i Fierit kur na kërkon ne në Komision paratë e rrogës së tij, pasi thotë se nuk i merr ato para që janë deklaruar. Pra nuk e kishte rrogën se ishte deklaruar në tatime. Në komision flasim me dokumente të administruara ligjore. SPAK duhet të hetojë nëse realisht ka përputhje mes asaj që deklarohet dhe pagës që merret. Ne nga SPAK presim drejtësi.”, u shpreh Zhupa.

A keni besim se kryeministri do të vijë?

Zhupa: Unë besoj se do të vijë për shkak se ia detyron ligji, është normale se do të synojë ta shtyjë sepse është një aferë që i ka arrestuar ish-ministrin. Nuk është aferë e lehtë që Edi Rama mund ta kalojë duke qenë i sëmurë, dhe mund të përdorë çdo kleçkë, por duhet të vijë për t’i dhënë përgjigje qytetarëve. Komisioni e ka mandatin deri në 25 shkurt, ne kemi kërkuar zgjatjen me tre muaj.

Ka gjasa të mos miratohet shtyrja me 3 muaj?

Zhupa: Ka gjasa dhe ndaj kemi parashikuar thirrjen e dëshmitarëve brenda 24 shkurtit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb