Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme masë sigurie “arrest në burg” për ish-deputetin e PS-së Alqi Bllakon për Inceneratorin e Elbasanit, por është refuzuar dy javë më parë.

Pas refuzimit, SPAK i është drejtuar Apelit të së Posaçëm, teksa kjo e fundit shqyrton kërkesën të enjten në orën 08:30.

“Çështja është regjistruar mbi ankimin e Prokurorisë, objekti është caktim masë sigurimi, dhe për shkaqe procedurale është shtyrë për nesër ora 8:30”, bëhet me dije.

Më herët gazetarja Klodiana Lala ka sjellë detaje lidhur me çështjen ndërsa ka bërë me dije se nga SPAK u zbuluar disa dhjetëra e-maile dhe një komunikim i Bllkaos me biznesmenin Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

DOSJA E SPAK

Nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin e lartë shtetëror, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt propozimit dhe marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë. Kjo vlerë përfitimi është siguruar në trajtën e pagës së dhënë babait të tij, Edmond Bllako, duke e paraqitur si i punësuar “Drejtor Kantieri” tek shoqëria koncesionare e ndërtimit të Inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, në pagën mujore 6000 (gjashtë mijë) euro, pagesa të realizuar për periudhën tetor 2018 deri në janar 2020.

Rezulton se administratorët e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” (ku edhe këtu shtetasi Alqi Bllako ka patur rolin e tij në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit) nëpërmjet veprimeve të kundraligjshme të tyre, e kanë pasqyruar si të punësuar shtetasin Edmond Bllako, duke bërë pagesa fiktive për shtetasin Edmond Bllako, ndërkohë që rezulton e provuar se këto pagesa janë përfitime të parregullta nga shtetasi Alqi Bllako.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: