BRUKSEL- Sjellja e një deputeti italian në Parlamentin Europian ka çuditur opinionin publik, por jo kolegët, të cilët janë mësuar me të ‘pabërat’ e tij. Bëhet fjalë për deputetin kontrovers italian, Gianluca Buonano, i cili ka shkaktuar dje një ‘incident’ gjatë fjalimit të presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Buonano ka vënë në fytyrën e tij maskën e kancelares gjermane Angela Merkel.

Besohet se ky incident është i lidhur me një foto të cilën Buonano dy ditë më parë e kishte vendosur në llogarinë e tij në Twitter. Në atë foto shihej një njeri me një maskë të Merkel dhe një bluzë në të cilin shkruan “Merkel: Refugjatë sirianë neve, emigrantët afrikanë në Itali”.

Kjo nuk është hera e parë që Buonano, përfaqësues i së djathtës italiane, provokon. Kjo pasi, siç shkruajnë mediat e huaja, në vitin 2014, ishte lyer me ngjyrë të zezë gjatë një debati parlamentar në Itali, kur kishte thënë se sistemi i ndihmave sociale në këtë vend është kundër emigrantëve.

Vitin e kaluar ishte iniciuar një peticion për dorëheqjen e Buonanos nga posti i deputetit në Parlamentin Evropian.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb