IZRAEL-Policia izraelite tha sot se ka kufizuar kalimin në pjesën e vjetër të qytetit të Jeruzalemit pas rritjes së dhunës. Ndalimi dy-ditor gjithashtu kufizon qasjen e burrave të moshës nën 50 vjeçare në zonat e ndjeshme të xhamisë al-Aqsa, e cila përdoret nga hebrenjtë dhe myslimanët. Kufizimet vijnë ndërkohë që po rritet trysnia ndaj Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu për të ndërhyrë.

Në incidentin e fundit, policia izraelite tha se një burrë palestinez u qëllua dhe u vra të shtunën në pjesën e vjetër të Jeruzalemit pasi ai vrau me thikë dy izraelitë. Në këtë sulm u plagosën një grua dhe një foshnje.

Gjatë natës, izraelitët u përleshën me palestinezët e mbledhur pranë shtëpisë së palestinezit të vrarë.

“Kolonët izraelitë sulmuan shtëpinë, ata ishin rreth 10 metra afër meje, ata u përpoqën të kryenin një tjetër masakër, u përpoqën të djegin shtëpinë. Familja ime ishte e frikësuar. Kjo është e papranueshme”, – thotë Mohammed Hreni, pronar i shtëpisë së sulmuar nga një grup hebrejsh, raporton Zëri i Amerikës.

Disa njerëz u dërguan në spital për trajtim.

Sulmi i sotëm erdhi dy ditë pasi një çift izraelit dhe katër fëmijët e tyre u vranë në Bregun Perëndimor.

Miki Rozenfeld, zëdhënës i policisë izraelite:

“Policia izraelite ka shtuar masat e sigurisë në pjesën e vjetër të qytetit të Jeruzalemit pasi dje u vranë dy izraelitë. Kjo pjesë e qytetit është e mbyllur për arabët e moshës nën 50 vjeç dhe kjo masë do të mbetet në fuqi për aq kohë që do të jetë e nevojshme”.

Qindra izraelitë u mblodhën sot në Jeruzalem, për të protestuar kundër rritjes së dhunës.

Baruch Marzel – aktivist i krahut të djathtë

“Kryeministri Netanyahu duhet të japë dorëheqjen, ai ka dështuar. Ai lejoi arabët të nxisin dhunën në Jeruzalem, lejoi sulmet e tyre në Jeruzalem, sot kemi katër hebrenj të vdekur. Ai është përgjegjës për vdekjen e tyre”.

Dhuna vjen pas tensioneve në rritje mes izraelitëve dhe palestinezëve mbi zonën rreth xhamisë Al-Aqsa, e cila ka një rëndësi të veçantë për hebrenjtë dhe myslimanët.

Kohët e fundit, protestuesit palestinezë u përleshën me policinë izraelite në xhaminë Al-Aqsa, duke nxitur përhapjen e dhunës edhe në lagjet arabe të Jeruzalemit Lindor dhe në Bregun Perëndimor. Bisedimet e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve dështuan në vitin 2014.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: