TIRANË

Kryeministri Edi Rama e ka thënë qartë sot se kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu ka vepruar gabim në incidentin me policët dhe se do të përgjigjet në rrugë ligjore. I pyetur nëse p obëhet PS mbulesë për ata persona që dalin mbi ligjin, Rama deklaroi se çështja mes palëve do të zgjidhet në rrugë ligjore.

“Nuk e kuptoj ku e pe mbulesën e PS për rastin konkret sepse rasti konkret është një rast për të cilin është bërë një denoncim dhe çështja mes palëve zgjidhet në rrugë ligjore. Ku e pe mbulesën e PS? Mos vallë unë thashë ka bërë mirë ose hë se nuk ka ndonjë problem? Ka bërë shumë gabim dhe do përgjigjet për gabimin në rrugë ligjore”, tha Rama.

Lidhur me respektimin e rregullave nga ana e ministrave, ai tha se si vetë ashtu dhe ata respektojnë dhe semaforin dhe se disa prej tyre kanë marrë dhe gjoba.
“Për sa i përket ministrave që i jepkan makinave me shpejtësi, sa për dijeni kur të kapni makinën time, autokolonën apo makinat e ministrave që nuk respektojnë semaforët atëherë hajdeni më bëni moral këtu. Unë qëndroj në çdo semafor, me përjashtim të ndonjë rasti ekstrem kur ka ndonjë urgjencë. Kjo është e detyrueshme për të gjithë. Ministrat e qeverisë sime kanë marrë gjobë nga policia për moszbatim të këtij rregullit. Shumë gjëra janë për t’u bërë por dhe që të harrohen të gjitha dhe ajo kohë e atyre që s’donin t’ia dinin për semaforë dhe në Shqipëri më shumë vrasje se sa ditë viti, kjo nuk mund të lihet”, deklaroi Rama.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, është kallëzuar penalisht në Prokurori, nga tre efektivë të Policisë së Shtetit, me pretendimin se i ka penguar të ushtrojnë detyrën.

Sipas burimeve nga organi i akuzës, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën turistike të Shëngjinit, jashtë ambienteve të një hoteli në vijën e parë të bregdetit. Punonjësit e Policisë kanë kërkuar ndërprerjen e muzikës dhe mbylljen e lokalit, por kanë hasur në kundërshtinë e pronarit të subjektit. Përballë rezistencës, në ndihmë të patrullës së Shëngjinit ka shkuar forca e posaçme “Shqiponja”, të cilët në debat e sipër kanë tentuar të shoqërojnë në Komisariat pronarin e hotelit, por referuar kallëzimit penal, në ato momente ka dalë nga lokali kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, duke i penguar që të ushtrojnë detyrën, me pretendimin se ligjin e bënte ai.

Një ditë më pas, ndaj dy efektivëve të patrullës së Shëngjinit ka nisur hetim disiplinor nga eprorët e tyre për “Shkelje të rëndë të atributeve e kompetencave të Policisë”, me argumentin se në subjektin ku kishte muzikë në shkelje të ligjit, po zhvillohej një aktivitet i Bashkisë Lezhë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të huaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb