DURRËS- Kreun aktual i Bashkisë së Durrësit dhe kandidati i maxhorancës për zgjedhjet e 21 qershorit Vangjush Dako ka reaguar për incidentin e ndodhur gjatë aktivitetit elektoral të kundërshtares së tij Grida Duma.

Në një status në Facebook, Dako shpreh indinjatë për incidentin duke u distancuar nga çdo akt dhune. Më tej ai thotë se çdo akt vandal nuk ka dhe nuk do të ketë mbështetjen e PS-së.

“Në emër të Aleancës për Shqipërinë Europiane, shprehim indinjatën tonë të plotë me incidentin e ndodhur dje midis disa të rinjve. Ne distancohemi plotësisht nga çdo akt dhune apo çdo gjest që devijon nga filozofia jonë pozitive e fushatës dhe e komunikimit dhe sjelljes elektorale. Çdo akt vandal apo incident sporadik nuk ka dhe nuk do ketë mbështetjen nga asnjë strukturë e PS dhe koalicionit tonë”, shkruhet në statusin e Dakos.

Kandidati socialist i bën thirrje PD-së të mos nxisë dhunën dhe konfrontimet fizike, ndërsa aludon se personat me flamuj të PS-së, i kanë përdorur këta flamuj për kamuflazh.

“Ne besojmë që politika duhet ti bashkojë dhe jo ndajë qytetarët. Ne besojmë në qytetari dhe sjellje në shërbim të qytetarëve ndaj cilido individ që dëshmon për sjellje tjetër nuk do jetë i mirëpritur në familjen tonë politike. Nëse parti politike përdorin flamujt e fushatave si kamuflazh për veprime të dhunshme e për të akuzuar më pas kundërshtarin, ky nuk është problemi ynë. Ne i dënojmë akte të tilla dhe i bëjmë thirrje PD-së të mos nxisë dhunën dhe konfrontimet fizike. Fushata zgjedhore për kryetarin e bashkisë se Durrësit është dhe duhet të mbese një garë ku të mbizotërojë forca e ideve, jo ideja e forcës”, deklaron ai.

Dako thotë se Aleanca e Shqipërisë Europiane do bëjë një fushatë qytetare për qytetarët që nga fillimi i fushatës dhe deri në shpalljen e rezultatit. “Ndaj presim edhe nga pala tjetër politike të kontribuojë njëlloj me ne, në mënyrë që të vendosim një standard qytetarie ashtu siç e meritojnë qytetarët durrsakë”, përfundon reagimin e tij Dako.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: