TIRANË-Deputetja Monika Kryemadhi ka reaguar në një lidhje telefonike në emisionin ‘Studio e Hapur’ në lidhje me incidentin në Shënkoll të Lezhës, ku pretendohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së saj. Kryemadhi ka akuzuar Partinë Demokratike dhe Aldo Bumcin se është qëlluar me armë nga makina e këtij të fundit.

Sipas Kryemadhit makinat e PD-së janë kthyer në magazinë armësh, ndërsa kriminelët fshihen në makinat e deputetëve të PD-së. Më tej deputetja e LSI-së tha se ka bërë një denoncim në mëngjes në polici, ndërsa do të bëjë sërish një tjetër.

‘Më vjen keq për banalitetin e PD-së dhe denoncoj këtë akt të shëmtuar. Kriminelët fshihen në makinat e deputeteve të PD-së të cilat janë kthyer në magazina armësh. Aldo Bumçi lëviz me makinën e tij të vjedhur nëpër qytetin e Lezhës. Partia Demokratike po e kthen dëshpërimin e vet në inat, pasi ka humbur betejën me demokratët e vet. PD nuk mund të merrë votën e shqiptarëve me kërcënime’- është shprehur Kryemadhi.

Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Aldo Bumçi. Në një lidhje telefonike për Emisionin ‘Studio e Hapur’ në News24, Bumçi ka hedhur poshtë akuzat e Monika Kryemadhit, duke thënë se ky është një skenar i trilluar, pasi policia nuk e ka konfirmuar ende si ngjarje.

“Jam i skandalizuar. S’kam fjalë për të shprehur neverinë nga deklarata që kam dëgjuar. I hedh poshtë me neveri këto shpifje. Askush në Shqipëri nuk e beson se nga makina e Aldo Bumçit të kenë dalë, armë dhe lekë. I kërkoj policisë që të konfirmojë ngjarjen gjë që nuk ka ndodhur ende. Uroj që kjo farsë të mos përdoret si alibi për të përligjur terror mbi demokratët dy ditë para zgjedhjeve. Të gjithë e ditë që LSI, Ilir Meta dhe Edi Rama janë të humbur. Policia nuk ka konfirmuar deri më tani që të ketë pasur ndonjë incident. Policia të hetojë. Si mund të flasë kryeministri i vendit për një ngjarje që nuk është konfirmuar. Të dhënat në Lezhë flasin për një aksion të madh shpërndarje lekësh, në të gjithë Lezhën. Lëvizin makina me eskorta duke shpërndarë lekë”- ka thënë Bumçi.

Incidenti u shënua në komunën e Shënkollit në Lezhë. Të shtëna më armë zjarri në ajër janë dëgjuar pas një takimi që deputetja Monika Kryemadhi ka zhvilluar në këtë zonë. Në momentin e ngjarjes deputetja Kryemadhi, bashkë me të cilën ndodhej edhe vajza e saj po dilte nga një banesë pas një takimi elektoral, ndërsa të shtënat në ajër janë regjistruar kur ajo po futej në makinë. Fatmirësisht nga ngjarja nuk ka persona të lënduar, ndërsa policia ka shoqëruar një të dyshuar.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: