Shqipëria është vendi më pak tërheqës në rajon sa i takon mundësive që investitorët shohin për të investuar. Në Indeksin Global të Mundësive 2022 vendi ynë renditet në vendin e 66 me një përmirësim në raport me një vit më parë kur ishte në vendin e 78 por sërish mbetet pas vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe kryesisht me ato që krahasohemi vazhdimisht.

Kështu Mali i Zi renditet në vendin e 51 për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, pas tij vjen Maqedonia e Veriut në vendin e 53. Serbia nga ana tjetër renditet në vendin e 59. Bosnjë-Hercegovina është i vetmi vend ndër ato të Ballkanit që lëmë pas e renditur në vendin e 97, ndërkohë që edhe Greqia duket se ka shënuar një rezultat më të dobët në renditje sesa Shqipëria duke marrë vendin e 75. Por cilat janë në fakt fushat që perceptohen si më pozitive dhe ato që penalizojnë një vend në këndvështrimin e investitorëve.

Për Shqipërinë rezultati më i mirë është shënuar sa i takon fondamenteve ekonomikë dhe që lidhet me parashikimin makroekonomik të vendit, veçoritë dhe kualifikimin e fuqisë punëtorë dhe potenciali për zhvillim dhe inovacion të vazhdim. Shqipëria renditet e 43 në këtë dimension.

Fusha e dytë në ecuri është perceptimi i biznesit dhe që lidhet me masat dhe kufizimet që has biznesi si dhe lehtësimi në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ku rezultati i regjistruar është ai i vendit të 55. Më pas vijnë standardet ndërkombëtare që lidhen me faktin sesa i integruar është një vend me komunitetin ndërkombëtar dhe gjasat që të jenë konform standardeve ndërkombëtare në vendin e 58.

Më dobët duket se vendi paraqitet tek shërbimet financiare që kanë të bëjnë me masat dhe thellësinë e aksesit që ka një vend në shërbime të tilla ndërkohë që edhe kuadri institucional paraqitet gjithashtu dobët me një renditje në vendin e 80 dhe që ka të bëjë me shkallën në të cilën institucionet e një vendi ndihmojnë ose pengojnë aktivitetin e biznesit.

Indeksi hartohet çdo vit nga Milken Institute nje organizate ne Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

 https://milkeninstitute.org/report/global-opportunity-index-2022-white-paper/Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: