Shqipëria përmirësohet me 3 vende, duke u ngjitur në vendin e 53 nga 169 shtete në Indeksin e Progresit Social (SPI) 2022.

Indeksi i Progresit Social* është një indeks i përbërë i treguesve socialë dhe ambientalistë që mat tre dimensione të progresit social: Nevojat bazë njerëzore, bazat e mirëqenies dhe mundësitë.

Nga të gjithë komponentët, Shqipëria është vlerësuar me më shumë pikë te siguria personale, duke u renditur në vendin e 31 në botë. Performancë të mira ka edhe sa i përket ushqyerjes dhe kujdesit bazë mjekësor, aksesit në njohuritë bazë, të drejtat personale, aksesit në informacion dhe komunikim, shëndetit dhe mirëqenies, strehimit, përshirjes dhe cilësisë së mjedisit.

Dy komponentët që na rendisin mes vendeve të fundit në indeks janë Liria Personale dhe Zgjedhja dhe Cilësia e ujit dhe Kanalizimet, duke u renditur përkatësisht në vendin e 132 dhe 103 nga 169 vende të marra në studim.

Shqipëria renditet lart në nënkomponentët për barazinë gjinore në arritjet dytësore (nr. 1), qasjen e energji elektrike (nr. 1) dhe lirinë e lëvizjes së brendshme (nr8).

Ashtu si në disa vitet e mëparshme, është Norvegjia ajo që kryeson në krye të listës të SPI. Në vendin e dytë është Danimarka, e treta Finlanda, Zvicra e katërta dhe më pas Islanda në vendin e 5-të.

Viti i ardhshëm mund të jetë një “recesion social”

Në përfundim të Indeksit të këtij viti thuhet se kombet në përgjithësi po përmirësohen, por me një ritëm më të ngadaltë se vitet e mëparshme. Ata parashikojnë një “recesion social” për vitin e ardhshëm bazuar në trendin e Indeksit të këtij viti, që do të ishte hera e parë që kur kompania filloi të matë progresin social.

Ekziston rrezik i rëndësishëm që përparimi social në botë të tërhiqet në 2023, duke çuar në “Recesionin e parë të progresit social”. Indeksi është publikuar nga Indeksit të Progresit Social, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA.

Indeksi i Progresit Social 2022  përdor 12 komponentët dhe 60 treguesit e tij për të matur performancën sociale të 169 vendeve plotësisht dhe 27 vendeve të tjera pjesërisht, duke mbuluar 99,97% të popullsisë së botës.

Rezultatet e Indeksit tregojnë se ndërsa bota po bëhet më e mirë për sa i përket progresit social, ritmi i progresit është ngadalësuar ndjeshëm në  një rënie e qëndrueshme që pritet  të çojë në “recesion të progresit social” . Në pesë vitet e fundit, që nga viti 2017, ritmi i progresit është pothuajse përgjysmuar dhe vitin e kaluar, bota është përmirësuar vetëm me 0.37 pikë, duke treguar stanjacion. Veçanërisht, ndikimet e plota të Covid-19 në përparimin social në të gjithë botën nuk dihen ende.

Rezultatet theksojnë se që nga viti 2011:

Progresi social i Shteteve të Bashkuara ka ngecur, dhe pavarësisht nga pasuria dhe reputacioni i saj, Amerika në vendin e 25-të po bën një punë të dobët për t’i ofruar një standard të mirë jetese popullit të saj.

Mbretëria e Bashkuar është vetëm një nga katër vendet që ka parë një rënie të vazhdueshme të përparimit social që nga viti 2011, së bashku me Venezuelën, Libinë dhe Sirinë.

Kjo ka qenë një dekadë e humbur për tregjet kryesore në zhvillim si Brazili dhe Turqia ku progresi social ka ngecur kryesisht.

Kina dhe India kanë parë përmirësime të konsiderueshme, por të dyja vendet janë frenuar nga mungesa e progresit në lidhje me të drejtat, gjithë përfshirjen dhe cilësinë mjedisore./Monitor

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: