Stoku i depozitave në sistemin bankar ka vijuar të zgjerohet me norma të moderuara, por të qëndrueshme.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, në terma mesatarë vjetorë, depozitat kanë shënuar rritje me rreth 2.4% në tremujorin e parë 2018.

Kjo ecuri citon raporti, është diktuar kryesisht nga zhvillimet e depozitave në lekë. Rritja e tyre u luhat rreth vlerës mesatare prej 1.4% në tremujorin e parë të vitit, krahasuar me normën mesatare prej 2% në tremujorin paraardhës.

Ekspertët bankarë gjykojnë se ngadalësimi i normës së rritjes së depozitave në lekë, ka ardhur kryesisht si pasojë e zhvendosjes së depozitave të individëve drejt instrumenteve financiare jashtë sistemit bankar.

Në kërkim të normave më të favorshme të interesit, individët kanë investuar rreth 6.6 miliardë lekë në letra me vlerë të qeverisë në tremujorin e parë të vitit. Depozitat e individëve në sistemin bankar u rritën vetëm me 0.7 miliard lekë.

Kjo ecuri reflekton gjithashtu ndryshimet në strukturën kohore të tyre. Individët që vendosin t’i mbajnë kursimet e tyre në sistemin bankar, preferojnë t’i zhvendosin ato, nga depozita me maturitet nën dy vjet drejt maturiteteve mbi dy vjet, të cilat ofrojnë norma interesi më të larta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb