Të paktën 2 persona kanë humbur jetën dhe 16 figurojnë të zhdukur si pasojë e rrëshqitjes së dheut të shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut mbrëmë në rajonin Nganjuk të provincës Java Lindore të Indonezisë, njoftoi Agjencia lokale e Menaxhimit të Fatkeqësive.

Raditya Jati, shefi i Qendrës së Informacionit dhe Komunikimit pranë agjencisë, deklaroi se rrëshqitja e dheut që ndodhi në fshatin Ngetos në rajonin Nganjuk shkaktoi dëme të mëdha në tetë shtëpi.

Yanuar Rachmadi, zëvendëskryetari i Agjencisë së Fatkeqësive në provincën Java Lindore, deklaroi se dy persona u shpëtuan gjatë përpjekjeve të kërkimit dhe shpëtimit të 20 personave që kishin mbetur nën tokë, kurse dy të tjerë janë nxjerrë të vdekur.

Rachmadi njoftoi se trajtimi i 14 personave të lënduar nga rrëshqitja e dheut është duke vazhduar dhe 147 njerëz janë evakuuar në zona të sigurta. Ai shtoi se përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit të 16 personave të zhdukur vazhdojnë.

Përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës ndodhin shpesh në Indonezi, vend që gjendet në brezin ekuatorial, veçanërisht në periudhën tetor-prill.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb