Një sulm vetëvrasës me bombë ka ndodhur në një kishë katolike në ishullin Sulavesi Jugor të Indonezisë.

Bomba vetëvrasëse shpërtheu në Katedralen e Zemrës së Shenjtë të Jezusit në ora 10:28 të mëngjesit sipas kohës lokale, gjatë një shërbese katolike, tha kreu i Marrëdhënieve me Publikun i Policisë Rajonale të Sulavesit Jugor, Endra Zulpan.

Sipas kreut të Divizionit të Marrëdhënieve me Publikun të Inspektorit të Përgjithshëm të Policisë Kombëtare Argo Yuwono, dy persona, të dyshuar si sulmues me bomba, mbërritën me motor dhe u përpoqën të hynin në kishë.

Me motorin e shkatërruar dhe pjesët e trupit që u gjetën në vendin e ngjarjes, policia tha se dy sulmuesit kishin vdekur. Shpërthimi ndodhi nga hyrja anësore e kishës, ndërsa raportohet se numri i të plagosurve është rritur në 20.

Përderisa të plagosurit janë transferuar në spitale, deri më tani nuk ka pasur asnjë pretendim të përgjegjësisë për sulmin.

Presidenti indonezian Joko Widodo dënoi sulmin, duke e quajtur atë një “akt terrorist” dhe u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë të qetë.

“Ne do të sigurojmë që të gjithë të mund të adhurojnë lirshëm, pa frikë”, tha presidenti gjatë një konference virtuale për media.

Ai udhëzoi policinë që të kryejë një hetim të plotë të incidentit, arrestimin e autorëve dhe zbulimin e origjinës së rrjetit terrorist.

Duke i bërë thirrje popullit të mos mbështetet në informacionin nga burime jozyrtare, Mohammad Ramdhan Pomanto, kryetari i bashkisë së qytetit Makassar, tha se siguria në rajon është rritur dhe një hetim është duke u zhvilluar.

Indonezia është vendi më i madh në botë me shumicë myslimane. Në maj të vitit 2018, të paktën 13 njerëz u vranë në shpërthimet vetëvrasëse në tre kisha në Surabaya, qyteti i dytë më i madh i vendit/AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb