Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) Gianni Infantino, vlerësoi përparimin e prekshëm të punimeve infrastrukturore në Katar, duke e cilësuar Botërorin Katar 2022 (FIFA World Cup Qatar 2022) si një mundësi të rrallë që do t’i japë tifozëve dhe ndjekësve të futbollit një eksperiencë të veçantë kulturore gjatë qëndrimit të tyre në Katar, për të marrë pjesë në turneun e Botërorit.

Presidenti i FIFA-s i shprehu këto vlerësime gjatë një turi inspektimi të punimeve në stadiumin Al Wakra, i cili ka një kapacitet prej 40 mijë tifozësh dhe që do të jetë një prej stadiumeve ku do të luhen ndeshjet e Botërorit deri në çerekfinale.

Gianni Infantino vizitoi gjithashtu metronë e re të Dohas, e cila pritet të inaugurohet tërësisht në muajt e ardhshëm. Udhëtimi i tij me metro zgjati 20 minuta, nisur nga qendra e ekspozitave në Doha e deri në stacionin Al Wakra.

Gjatë inspektimit të stadiumit “Al Wakra”, ai tha se: “E shoh këtë stadium shumë mbresëlënës. Kushdo mund ta vërejë progresin e bërë në këtë stadium edhe pse jemi ende katër vjet para fillimit të turneut të futbollit Katar 2022”.

Në këtë kontekst, z. Infantino theksoi rolin dhe potencialet që ka Kupa e Botës në Katar për të ndryshuar stereotipet që mund të kenë disa rreth rajonit (të Gjirit) dhe botës arabe në përgjithësi, duke shtuar: “Jam plotësisht i bindur se organizimi i kampionatit botëror të futbollit në Katar do të tërheqë vizitorë nga e tërë bota për të zbuluar vendin dhe për tu njohur nga afër me kulturën e pasur këtu”.

“Mendoj se (rajoni) ka një nevojë urgjente për tu hapur ndaj botës, sidomos në rrethanat aktuale që po përjeton këto kohë bota arabe. Besoj se Kupa e Botës së futbollit “Qatar 2022″ do të jetë një ngjarje me rëndësi të madhe jo vetëm për Katarin, por për mbarë rajonin”, u shpreh ai.

Në maj 2017, Katari filloi inauguroi stadiumin “Khalifa International Stadium”, ndërkohë që punimet vazhdojnë me intensitet të lartë në të gjitha stadiumet e reja ku do të zhvillohen ndeshjet e kampionatit, përfshirë edhe stadiumin ikonik të “Lusail-it”, i cili do të presë ndeshjet hapëse dhe finale të Botërorit 2022, ndërsa mendohet se inaugurimi i tij i plotë do të mbahet në fillim të vitit 2021.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb