NGA: OLA MITRE*
Rreth 96 mijë instrumente të kirurgjisë së përgjithshme dhe asaj të specializuar do t’u shtohen spitaleve publikë në vend, duke ofruar ndërhyrje të pamundura deri më sot si dhe duke minimizuar në maksimum infeksionet spitalore. Kjo, falë shërbimit të ofrimit të instrumenteve të rinj kirurgjikalë dhe administrimit inovativ të sterilizimit të tyre, i cili është prezantuar ditën e djeshme nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në praninë e mjekëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Fillimisht shërbimi do të ofrohet në këtë qendër terciare dhe brenda një viti do të shtrihet në të gjithë spitalet e Tiranës. Ndërkohë që, në një hark kohor prej 18 muajsh pritet të shkojë në çdo spital të vendit.

SITUATA
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, inventari ekzistues i instrumenteve kirurgjikalë është i vjetër, i amortizuar dhe jo i larmishëm për të realizuar teknika bashkëkohore të ndërhyrjeve kirurgjikale. Po ashtu, autoklavat që përdoren për sterilizim në spitalet e ndryshme vendit janë të vjetra, të amortizuara dhe për rrjedhojë, edhe mirëmbajtja e tyre është tejet e vështirë, pasi pjesët e ndërrimit për riparim gjenden me shumë vështirësi. “Autoklavat e shpërndara në sallat kirurgjikale nuk kanë mundësuar deri më sot sigurinë maksimale të sterilizimit, bazuar edhe në raportet e ISHP-së, gjatë gjithë këtyre viteve, duke sjellë cenim të sigurisë së jetës së pacientit dhe përhapjen tej normave të lejuara të infeksioneve spitalore”, thekson MSH, teksa shton se shërbimi i ri do të ndryshojë këtë situatë.

Përveç instrumenteve kirurgjikalë, programi parashikon 1 central qendror sterilizimi dhe 17 centrale të tjerë mbështetës në të gjithë vendin. Ndërkohë që për një shërbim të plotë e të sigurt është përfshirë furnizimi me materiale të buta njëpërdorimëshe të veshjeve të personelit mjekësor të sallës dhe të shtratit kirurgjikal, dezinfektimin e sallës dhe trajtimin e mbetjeve që prodhohen në sallë në mënyrë që të kthehen në mbetje urbane të parrezikshme.

PREZANTIMI
Ndërkaq, teksa iu referua akuzave të shumta që kanë shoqëruar tenderin e sterilizimit, kryeministri Rama e cilësoi këtë investim një revolucion në shëndetësi, duke përkrahur partneritetin publik-privat. “E gjitha kjo është një revolucion brenda sistemit, që vjen si rezultat i një procedure ‘të mallkuar’, ‘të kriminalizuar’ dhe të akuzuar e kthyer madje, në denoncim në prokurori, Partneriteti Publik-Privat, që këtu është banalizuar me fjalën e turpshme ‘koncesion’ dhe është kthyer nga injorantët dhe nga ata që injorancën e tyre e bëjnë argument, në një shfaqje të huaj. Në fakt, është vetëm nëpërmjet Partneriteti Publik-Privat që të mund të zhvillojmë një sistem shëndetësor modern, të besueshëm dhe të qëndrueshëm. Jo ne që jemi një vend me një shtet me të ardhura modeste për nevojat që ka një shëndetësi jo modeste, po e standardeve europiane për t’u financuar, por edhe vende shumë më të zhvilluara se ne, i janë kthyer Partneriteti Publik-Privat”, u shpreh Rama.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: