Kryetari i Bindjes Demokratike Astrit Patozi me anë të një postimi në “Facebook” shkruan se videoja e vajzës së prekur me koronavirus duhet të na shërbejë si leksion për shumë arsye.

Patozi thotë se vajza me koronavirus na tregoi mbi të gjitha se nuk është një turp nëse je i infektuar.

Po ashtu, Patozi shprehet se në videon e vajzës mësojmë se duhet që këta ditë duhet të qëndrojmë në shtëpi e të mos dalim prej andej, si dhe të kemi kujdes me të afërmit, t’u qëndrojmë larg, së paku këta kohë.

Postimi i Astrit Patozit:

NJË LEKSION PERFEKT PËR T’U RUAJTUR NGA VIRUSI

Videoja e vajzës së prekur nga koronavirusi u dashka ndjekur nga të gjithë për disa arsye:

1-Për të mësuar një herë e përgjithmonë se sëmundja nuk zgjedh dhe nuk ke asnjë mundësi tjetër të ruhesh prej saj, përveçse duke u mbyllur në shtëpi. Gjë, që jo të gjithë po e bëjmë siç duhet.

2-Për të kuptuar se infektimi nuk është turp që duhet ta fshehim apo për të cilin duhet të gënjejmë mjekët, por një hall që mund të zërë secilin prej nesh, po nuk u vetëmbrojtëm.

3-Për të ngulitur mirë në kokë se e vetmja mënyrë për t’u shprehur dashurinë të afërmëve tanë më të shtrenjtë është t’u qëndrojmë atyre sa më larg këto ditë.

4-Për t’u njohur live me faktin se nuk është e vërtetë që COVID 19 preferon të moshuarit, por ai godet njësoj këdo që i del përpara. Ndryshimi i vetëm është se tek pleqtë bën më shumë dëm, ngaqë i gjen më të dobët.

5- Për të provuar se nuk ka nevojë që të jesh patjetër në moshë të madhe për të qenë i kthjellët, i mençur, i ditur dhe mbi të gjitha i pjekur. Në kushtet e bombardimit nga marrëzitë e adultëve të famshëm, sinqeritetI dhe qartësia e të resë së panjohur, që rrëfeu eksperiencën e saj të hidhur me koronavirusin, merr shumëfish vlerë.

-Në mbyllje, i uroj asaj shërim të shpejtë dhe kërkoj ndjesë paradhënie, nëse kjo do të rezultojë video fake??

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb