Orët e mbrëmjes së ditës së mërkurë kanë vënë në gatishmëri të plotë spitalin Covid 1 ku në më pak se gjysmë ore kanë mbërritur 4 urgjenca mjekësore 1 nga Tirana dhe 3 nga rrethet. Burime për News 24 nga ky spital pohojnë se numri I urgjencave ditore ka pësuar rritje të ndjeshme veçanërisht pas datës 15 tetor ku sipas kalendarit 1 mujor të gjitha urgjencat ditore me Covid-19 nga Tirana nuk do të trajtohen më në Sanatorium duke i kaluar shërbimit infektiv për 30 ditët e ardhshme deri në datë 15 nëntor.

Të njëjtat burime thonë se spitali Covid 1 po punon me 80% të kapacitetit të plotësuar dhe nëse do të vijojë me këto flukse urgjencash është çështje ditësh që të mos ketë më shtretër të lirë.
Ndërkohë në spitalin Covid 2 situata paraqitet disi më e stabilizuar pas mbylljes së rrotacionit 1 mujor të urgjencave nga Tirana. Burime nga ky spital thonë se janë rreth 160-deri në 170 të shtruar me një fluks urgjencash ditore që shkon nga 13-16 në 24 orë.

Shqetësim në rritje sipas mjekëve përbëjnë klinikat e rënduara pulmonare që paraqiten në urgjencat e dy spitaleve Covid. Pacientë si shkak i panikut vendosin ti qëndrojnë larg spitalit duke u vetëkuruar në shtëpi për ditë të tëra dhe vetëm kur situata bëhet kritike ndryshojnë mendim. Ndërkohë shifrat e përditësuara që raporton Ministria e Shëndetësisë flasin për një rritje të dukshme të testeve PCR të kryera në 8 ditët e fundit dhe njëherazi të rasteve pozitive si dhe atyre aktive me Covid-19.

Kështu në periudhën 6 deri në 13 tetor raportohen zyrtarisht 7027 teste PCR të kryera në sektorin publik dhe privat me një mesatare ditore 878 teste në ditë. Ndërkohë në 8 ditët pasuese 14 deri në 21 tetor rritet ndjeshëm plotë 9560 teste me një mesatare ditore 1195. Diferenca është plus 2533 teste ose 36% rritje. Për të njëjtën periudhë rastet pozitive rezultojnë me një rritje që shkon mbi 60%. Kështu në periudhën 8 ditore nga 6 deri në 13 tetor numri i rasteve pozitive të raportuara është 1184 me një mesatare ditore 148 raste.

Tetë ditë më pas nga data 14 deri në 21 tetor shifrat kapin majat që nga nisja e pandemisë 1993 raste pozitive në vetëm 8 ditë, ose 249 raste në ditë. Nëse krahasojmë të dhënat vihet re një rritje me plus 809 raste pozitive baraz me 67.4% me shumë. Shqetësim paraqet numri në rënie i personave të negativizuar që raportohen si të shëruar nga Covid-19. Në 8 ditët e fundit raportohen të shëruar 579 persona ose 131 persona më pak se në përudhën 6 deri në 13 tetor.

COVID-19 – Statistika Periudha 6 – 13 tetor
Te dhenat ne 8 dite
Testime totale 7027
Raste pozitive 1184
Raste Aktive 448
Raste të shëruara 710
Humbje jete 26

COVID-19 – Statistika Periudha 14– 21 tetor
Te dhenat ne 8 dite
Testime totale 9560
Raste pozitive 1993
Raste të shëruara 579
Raste Aktive 1386
Humbje jete 28

Diferenca mes periudhave 6-13 tetor dhe 14-21 tetor
Testime + 2533
Pozitive + 809
Të shëruar -131
Humbje jete +2

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb