Situata nga koronavirusi në vendin tonë vazhdon që të jetë mjaft problematike.

Gazetari Erjon Skëndaj raportn për “Balkanweb” se Spitali Infektiv nuk lejon më ushqimin nga familjarët për pacientët e shtruar. Në spital, ligjërisht asnjëherë nuk është lejuar që të futet ushqim për familjarët, por në situatën e pandemisë, ishte bërë praktikë dërgimi i ushqimit për të afërmit e sëmurë. Tashmë, as kjo praktikë e dërgimit të ushqimit nuk do lejohet.

Skëndaj theksoi se në spital nuk ka as kabinë ku të merret informacioni. “Në Spitalin Infektiv nuk lejohet ushqimi për familjarët. Familjarët gjithmonë kanë tentuar të fusin ushqimin. Pacienti gjithmonë është ndjerë i vetmuar, për shkak se nuk ka familjarët. E vetmja lidhje që ai ka me familjarët është biseda me telefon. Më përpara lejohej që të futeshin ushqimet, kurse sot u ndërpre ky rregull.

Këtu s’ka sportel, nuk ka kabinë për punonjësin e policisë, nuk ka kabinë ku të merret informacion. në Shefqet ndroqi, ushqimet janë tërhequr në mënyrë të rregullt, bashkëshoqëruar me emrin e pacientit. Probleme me komunikimin e brendshëm ka pasur vetëm tek Infektivi”, tha Skëndaj.

Erjon Skëndaj nënvizoi se kohët e fundit, ka një rritje të urgjencave tek Infektivi. Ai shtoi se mjekët po bëjnë thirrje për shumë kujdes, pasi së fundmi po preken nga Covid shumë mosha të reja.

“Në një orë vijnë zakonisht katër urgjenca. Ka pasur raste që ka pasur 50 urgjenca në 24 orë. Sot që flasim ka vetëm 200 persona në shtretër. Ka rritje të urgjencave tek Infektivi.  Ka edhe mosha të reja që janë në terapi intensive. Infeksioni prek edhe moshat e reja. Ai që mendohet se është koronavirusi i ri po prek gjithmonë e më shumë moshat e reja.”, u shpreh Skëndaj.

Në lidhje me situatën tek Spitali Infektiv, një qytetar deklaroi se nuk lejohet që në ambientet spitalore të futen ushqime. Qytetari dha edhe përvojën personale, duke thënë se mamaja që është shtruar në spital kërkonte ujë nga jashtë e nuk ia dërgonte dot.

Qytetari: Nuk na lejohet të fusim ushqimet. Vetëm rrobat e trupit lejohen. Donte ujë mamaja dhe nuk lejohet. Mamaja e donte ujin nga jashtë. Kam pasur komunikim vetëm me mamanë.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb