NGA OLA MITRE

TIRANE- Të gjithë infermierët, mamitë, fizioter apistët, teknikët e imazherisë, teknikët e laboratorit dhe logopedistët, të cilët janë në marrëdhënie pune me Leje Provizore, duhet të hyjnë në Provim Shteti në sezonin e muajit nëntor”. Lajmi për “Gazeta Shqiptare” bëhet me dije nga kreu i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Sabri Skënderi, i cili thekson se ky është një detyrim ligjor për të ushtruar profesionin.

“Futja në Provim Shteti është një detyrim që duhet ta përmbushë secili prej atyre që përfundojnë studimet në profesionet e mësipërme, përpara se të futet në marrëdhënie pune. Megjithatë, duke qenë se ne kemi vazhdimisht kërkesa, sidomos nga rrethet për të punësuar infermierë për shkak të mungesave të këtyre profesionistëve, ne kemi i pajisur me një leje provizore, në mënyrë që të plotësohen nevojat dhe këta kandidatë të mos humbasin vendin e punës. Madje, edhe ditën e djeshme më ka ardhur një kërkesë e tillë nga qyteti i Ersekës, ku kërkohen të punësohen 2 infermierë. Por, ata nuk mund të vazhdojnë të punojnë më pa kaluar me sukses Provimin e Shtetit, ndaj do të duhet të futen në sezonin më të afërt, që është ai i muajit nëntor”, sqaroi Skënderi.

Gjithashtu, kreu i UISH-së thekson se të gjithë ata që e kanë këtë leje provizore për ushtrimin e profesionit do të duhet të bëjnë personalisht regjistrimin pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve, e cila më pas do të shpallë listën përkatëse për secilin profesionit sipas datave, në të cilat do t’i nënshtrohen provimit. “Profesionistët që janë të pajisur me lejen provizore do të duhet ta ndjekin vetë procesin e regjistrimit dhe dorëzimin e dokumentacionit pranë AKP-së”, tha Skënderi, ndërkohë që listat do të shpallen në faqen zyrtare akp.gov.al.

PROVIMI I SHTETIT
Kalimi me sukses i Provimit të Shtetit është një kusht për pajisjen me lejen e ushtrimit të profesionit për profesionet e rregulluara, ku bëjnë pjesë dhe infermierët, mamitë, fizioterapistë, teknikët e laboratorit, teknikët e imazherisë dhe logopedistë. Sipas legjislacionit në fuqi, ata kanë të drejtë të japin atë deri në 5 herë. Ndërkohë që, nëse ai nuk kalohet me sukses, profesionistët e shëndetësisë nuk kanë të drejtë të ushtrojnë profesionin. Ndërkaq, sa i takon tarifës që duhet të paguajnë kandidatët fillestarë, ajo kap vlerën e 10000 lekëve, ndërkohë që në çdo rast përsëritës ajo shtohet me 2500 lekë. Kjo do të thotë se kandidatët që futen për herë të pestë në Provimin e Shtetit duhet të paguajnë 20 mijë lekë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb