NGA KLODIANA LALA/OLA MITRE*
Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë ka depozituar në Gjykatën Administrative një padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë, me objekt shfuqizimin e urdhrave të ministrit Ilir Beqaj, që rregullojnë zhvillimin e testimit të infermierëve. Padia është depozituar rreth orës 14:45 të ditës së enjte, ndërkohë që presidenti i UISH, Sabri Skënderi sqaroi për “Gazeta Shqiptare” se qëllimi është anulimi i vlerësimit të aftësive të personelit infermieror.

“Objekti i padisë është shfuqizimi i dy urdhrave të ministrit Beqaj për zhvillimin e testimit të infermierëve si dhe pezullimi i zbatimit të urdhrit për zhvillimin e procesit të vlerësimit në kujdesin spitalor, deri në përfundim të gjykimit të çështjes. Padia jonë bazohet te paligjshmëria në zhvillimin e procesit të testimit si dhe te paniku e terrori që është krijuar te bluzat e bardha si pasojë e zhvillimit të tij”, – sqaroi Skënderi.

Gjykata Administrative

Pavarësisht se padia është depozituar në Gjykatën Administrative, me shumë gjasë, ajo nuk do të mund të shqyrtohet. Kjo pasi ligji parashikon se aktet normative, duhet të shqyrtohen nga Gjykata e Apelit Administrativ. Juristët shpjeguan për “GSH” se në rastin konkret, urdhri i ministrit Beqaj, në kuptim të ligjit, mbi bazën e të cilit funksion Gjykata Administrative, e konsideron atë akt normativ. Në këto kushte, është kompetencë e Apelit Administrativ për të shqyrtuar padinë e Urdhrit të Infermierëve. Fakti që padia është depozituar në shkallën e parë, do të thotë që Administrativja duhet t’ia kalojë për kompetencë Apelit Administrativ dhe ligjërisht, duhet ta bëjë brenda një afati të arsyeshëm kohor, pasi në padi kërkohet edhe pezullimi i efekteve të urdhrit, çka nënkupton shpejtësi në gjykimin e çështjes.

MINISTRIA E SHËNDETËSISË

Ndërkaq, të kontaktuar nga “GSH”, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë thanë se ende nuk kanë një
kopje të padisë në fjalë e për pasojë ende nuk dihet se cilët do të jenë hapat e mëtejshëm
që do të ndërmarrin. “Fillimisht duhet të njihemi me padinë, pasi deri më tani nuk na ka ardhur ende një kopje e padisë. Pasi të njihemi me të, do të bëjmë të ditur qëndrimin tonë”, u shprehën zyrtarët
e ministrisë. Testimit kombëtar pritet t’i nënshtrohen mjekët dhe infermierët e sistemit shëndetësor publik, ndërkohë që sipas urdhrit me nr. 79, datë 12.02.2015, të Beqajt, procesi i vlerësimit të njohurive dhe aftësive do të nisë në datën 28 shkurt 2015.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb