TIRANE- Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë i konsideron të pavërteta shifrat e përfolura për numrin e bluzave të të bardha që po largohen jashtë vendit. Në një reagim për mediat, UISH thotë se për këtë vit numri i infermierëve profestionisë që kanë kërkuar dokumenta për jashtë është 750, dhe jo 2000 apo 4000 mijë.

Sakaq, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, si përfaqësuesi ligjor i profesionistëve infermierë, shton se “lëvizja e infermierëve jashtë shtetit nuk përbën shqetësim, pasi sipas regjistrit tonë ne kemi sot rreth 6500 infermierë të licencuar në pritje për punësim dhe çdo vit, kjo shifër rritet, pasi nga shkollat tona dalin çdo vit 1000-1200 profesionistë”.

REAGIMI I PLOTE
Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, si përfaqësuesi ligjor i profesionistëve infermierë, ku ata pajisen me Lejen e Ushtrimit të Profesionit në Shqipëri, por dhe me vërtetimet përkatëse për t’u punësuar jashtë shtetit del sot me këtë deklaratë për shtyp për të sqaruar opinionin publik, por edhe anëtarësinë e vet:

Organi i vetëm që mban regjistrin e profesionistëve të kujdesit është vetëm UISH. Ne shohim me shqetësim lajme të ndryshme në media lidhur me largimin e infermierëve jashtë shtetit, se nga Shqipëria kanë ikur 2000 infermierë dhe deri në dhjetor ikin edhe 4000 infermierë. Ky lajm është i pavërtetë. Këto shifra nuk qëndrojnë. Kanë ikur infermierë jashtë shtetit, janë përgatitur dhe po përgatiten edhe të tjerë, por ne kemi këtu regjistrin e atyre që marrin dokumenta për jashtë dhe për këtë vit ky numër është 750 profesionistë, nga të cilët jo të gjithë kanë ikur, por kanë përgatitur dosjet për të ikur, pasi të marrin nivelin e gjuhës. Për ne, lëvizja e infermierëve jashtë shtetit nuk përbën shqetësim, pasi sipas regjistrit tonë ne kemi sot rreth 6500 infermierë të licencuar në pritje për punësim dhe çdo vit, kjo shifër rritet, pasi nga shkollat tona dalin çdo vit 1000-1200 profesionistë.

Askush nuk duhet të japë shifra të pasakta me qëllime që ata vetë i dinë. Ne i kërkojmë Shoqatës së Infermierëve të jetë më korrekte, më institucionale dhe më bashkëpunuese. Disinformimi publik nuk i shërben askujt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb