KINE – Li Baoxia është një infermiere në spitalin e Guangdong në Kinë. Fotot e saj janë përhapur në internet, për shkak të një gjesti vërtet prekës, që ajo ka bërë teksa asistonte operacionin e një foshnje në spital. Për ta qetësuar foshnjën, infermierja nuk ka nguruar ta ushqejë atë me gji.

Në fakt bebja do të operohej me anestezi lokale, për shkak të një problemi të lindur, bllokim i anusit, por gjatë operacionit ajo ka filluar të qajë pa pushim. Në pamundësi për ta qetësuar me mënyra të tjera, infermierja e ka marrë beben në dorë dhe e ka ushqyer me gji, duke bërë që operacioni të vijonte me sukses.

Kjo skenë preku të gjithë mjekët dhe infermierët e spitalit, të cilët i publikuan fotot në rrjetet sociale, ku morën miliona “like”. Por ka patur edhe nga ata që e kanë kritikuar xhestin e infermieres, duke pyetur nëse ajo kishte marrë aprovimin e prindërve të  fëmijës për ta ushqyer me gjirin e saj.

Ndërkohë prindërit e foshnjës e kanë falënderuar infermieren, për ndihmën që i dha vogëlushes në një moment kaq delikat.

“Nuk di si t’jua shpërblej. Si baba mundem vetëm të them se infermierja ishte një ëngjëll për vajzën time.”- u shpreh babai i foshnjës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: