Inflacioni në Holandë u rrit në një tjetër rekord prej 12 përqind në gusht nga 10.3 përqind në korrik, njoftoi Byroja Qendrore Hollandeze e Statistikave (CBS).

Çmimet e energjisë mbetën forca kryesore shtytëse pas kësaj rritjeje, por kostot në rritje të sendeve ushqimore dhe kostot e banesave u shfaqën gjithashtu si kontribuesit kryesorë. Energjia ishte 151 për qind më e shtrenjtë në gusht se në të njëjtin muaj të një viti më parë. Në korrik, kjo shifër ishte 108 për qind.

Norma e lartë e inflacionit çon në pasiguri për të ardhmen e ekonomisë holandeze, tha profesor Olaf van Vliet, kreu i Departamentit të Ekonomisë në Universitetin Leiden.

Aktualisht, inflacioni drejtohet kryesisht nga çmimet e energjisë, të cilat varen kryesisht nga rrjedha e konfliktit në Ukrainë dhe nga zhvillimet në tregun e gazit, tha van Vliet.

“Po ashtu të rëndësishme janë efektet e politikave monetare në mbarë botën dhe vendimet e bankave qendrore për të rritur normat e interesit”, tha ai. “Çështja këtu nuk është nëse këto kanë efekt, por kur do të kenë efekt dhe në çfarë niveli.

CBS ka monitoruar inflacionin në baza mujore që nga viti 1963. Rekordi i mëparshëm daton në janar 1975, kur inflacioni ishte 11.1 për qind gjatë krizës së naftës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb