Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, ka bërë një pasqyrë të përgjithshme të ecurisë ekonomike në vend, por jo vetëm.

Ai ka thënë gjatë raportimit për mediat, se çmimet në rritje do të jenë deri të paktën në pjesën e dytë të vitit të ri, ndërsa më pas do të pësojnë reduktime. Kursi i këmbimit sipas tij ka pasur luhatje të dy kahshme, ndërsa shtoi se 2 vitet e fundit kanë qenë sfiduese për ekonominë, ndikuar nga prezenca e pandemisë në vend.

Fjala e plotë e Genc Sejkos:
Të nderuar përfaqësues të medias,

Sot, në mbledhjen e datës 22 dhjetor 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Analiza e informacionit të disponuar tregon vijimin e rikuperimit të aktivitetit ekonomik në vend, përmirësimin e treguesve të tregut të punës, por dhe një rritje të shpejtë të inflacionit gjatë dy muajve të fundit. Rritja e çmimeve të naftës, të energjisë dhe të ushqimeve në tregun botëror, ka filluar të pasqyrohet – në mënyrë direkte dhe indirekte – në çmimet e artikujve të konsumit në vend. Këto goditje janë krijuar nga një zhbalancim i përkohshëm i kërkesës dhe ofertës. Në këto rrethana, efekti i tyre do të jetë i pranishëm dhe gjatë gjysmës së parë të vitit në vazhdim, por – më tej – ai do të vijë drejt reduktimit.

Në skenarin bazë, konvergimi i ekonomisë në ekuilibër dhe reduktimi i efektit të goditjeve të ofertës do të mundësojnë kthimin e inflacionit në objektiv, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm.

Në vijim, më lejoni të sqaroj më në detaje konkluzionet e Raportit.

***

Informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë në përgjithësi në përputhje me pritjet tona.

Inflacioni në vend shënoi një rritje të shpejtë, duke kapur vlerën 3.1% në muajin nëntor. Trendi rritës i inflacionit gjatë vitit 2021 është diktuar nga rritja e kërkesës, e punësimit dhe e pagave. Megjithatë, rritja e inflacionit gjatë tremujorit të katërt pasqyron kryesisht efektin e rritjes së ndjeshme të çmimeve të ushqimeve, të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore. Kjo goditje pritet ta mbajë inflacionin mbi objektivin tonë gjatë muajve në vijim. Më tej, ne presim riekuilibrimin e raportit kërkesë-ofertë në tregjet botërore, zgjidhjen e problemeve logjistike dhe stabilizimin e çmimit të energjisë. Kjo ecuri do të lehtësojë presionet inflacioniste dhe do të reduktojë efektin e çmimeve të huaja në inflacionin në vend.

Aktiviteti ekonomik është rritur me ritme të shpejta gjatë vitit 2021, dhe burimet e rritjes kanë pasur një bazë të gjerë. Prodhimi i brendshëm bruto u zgjerua me 11.7% në gjashtëmujorin e parë, i nxitur nga rritja e konsumit dhe e investimeve, private e publike, si dhe nga rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. Ndonëse informacioni i ri mbetet i pjesshëm dhe i tërthortë, ai sugjeron rritje të mëtejshme të ekonomisë në gjashtëmujorin e dytë. Megjithatë, ndërsa efekti i fortë i bazës krahasuese me vitin 2020 do të vijë drejt reduktimit, normat e rritjes ekonomike priten të jenë më të ulëta dhe të luhaten rreth nivelit potencial.

Zgjerimi i aktivitetit ekonomik është shoqëruar me përmirësimin e tregut të punës. Gjatë tremujorit të tretë, punësimi u rrit me 0.7%, shkalla e papunësisë zbriti në 11.3%, ndërsa paga mesatare shënoi një rritje vjetore prej 6.9%. Përmirësimi i treguesve të tregut të punës dhe rritja e kërkesës për punë e raportuar nga bizneset sugjerojnë se presionet për rritjen e pagave do të vijojnë të forcohen në të ardhmen.

Rritja ekonomike është mbështetur nga rritja e besimit në ekonomi, nga përmirësimi i ambientit të huaj, si dhe nga politikat e brendshme stimuluese ekonomike. Kjo gamë e gjerë faktorësh premton një qëndrueshmëri të rritjes ekonomike në të ardhmen.

Politika monetare stimuluese ka ulur kostot e financimit, ka nxitur rritjen e kredisë dhe ka ndihmuar në lehtësimin e gjendjes financiare të huamarrësve. Në këtë mënyrë, ajo ka mbështetur zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe ka krijuar parakushtet për kthimin e inflacionit në objektiv.

Normat e interesit të kredisë për bizneset dhe individët kanë mbetur në nivele të ulëta, në reflektim të gjendjes së mirë të likuiditetit, primeve të përmbajtura të rrezikut dhe përqasjes mbështetëse të bankave për klientët e tyre. Po ashtu, kursi i këmbimit është karakterizuar nga luhatje të dykahshme gjatë dy muajve të fundit.

Kredia bankare ka regjistruar norma të larta rritjeje, duke mbështetur gjithmonë e më shumë rritjen e konsumit dhe të investimeve. Vëllimi i kredisë për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore me 11% në muajin nëntor. Rritja e kredisë vërehet si tek bizneset dhe individët, si për qëllime investimi ashtu edhe për mbulimin e nevojave afatshkurtra, si në lekë edhe në valutë. Rritja e kërkesës për kredi, e raportuar tek vrojtimi i aktivitetit kreditues, lehtësimi i kushteve të kreditimit, dhe shëndeti i mirë i industrisë bankare sugjeron për një ecuri të mirë të kredisë në vazhdim. Në veçanti, rënia në nivelin 6.2% e raportit të kredive me probleme në muajin nëntor, ilustron si rritjen e aftësisë paguese të bizneseve dhe familjeve ashtu dhe shëndetin e përmirësuar të bilanceve të sektorit bankar.

Rritja e shpejtë e të ardhurave dhe zbutja e ritmit të rritjes së shpenzimeve primare, kanë sjellë një ngadalësim të impulsit fiskal gjatë muajve të fundit. Megjithatë, niveli i lartë i akumuluar i shpenzimeve dhe i deficitit buxhetor në muajin dhjetor, nënkupton një rritje të mundshme të stimulit fiskal në ekonomi.

Banka e Shqipërisë gjykon se konsolidimi i politikës fiskale në të ardhmen është jo vetëm i arsyeshëm, në kushtet e forcimit të qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes, po edhe i nevojshëm, për të rritur hapësirën për përballimin e goditjeve potenciale në të ardhmen dhe fuqizimin e stabilitetit makroekonomik të vendit.

Politika fiskale stimuluese ka mbështetur rritjen e ekonomisë, ndonëse në një masë më të ulët nga një vit më parë. Rritja e shpejtë e të ardhurave dhe zbutja e ritmeve të rritjes së shpenzimeve primare, kanë sjellë një ngadalësim të impulsit fiskal gjatë muajve të fundit. Megjithatë, niveli i lartë i akumuluar i shpenzimeve dhe i deficitit buxhetor në muajin dhjetor, nënkupton një rritje të mundshme të stimulit fiskal në ekonomi.

***

Projeksionet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Në afatin e mesëm, rritja e ekonomisë pritet të mbështetet nga kushtet e favorshme të financimit, përmirësimi i besimit dhe i bilanceve të sektorit privat, dhe nga normalizimi gradual i aktivitetit ekonomik në vendet partnere. Këta faktorë pritet të nxitin rritjen e konsumit, të investimeve dhe të eksporteve. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të shoqërohet me rritjen më dinamike të punësimit, pagave dhe të kostove të tjera të prodhimit, duke forcuar presionet e brendshme inflacioniste. I mbështetur prej tyre, inflacioni parashikohet të kthehet në mënyrë të qëndrueshme tek objektivi 3% në fund të vitit 2022, dhe të qëndrojë pranë tij në afatin e mesëm. Nga ana tjetër, goditjet e huaja të ofertës do të diktojnë vlera të inflacionit mbi objektiv në afatin e shkurtër, por efekti i tyre pritet të jetë gjithsesi kalimtar.

Balanca e rreziqeve rreth inflacionit shfaqet e zhvendosur për lart në afatin e shkurtër dhe e balancuar në afatin e mesëm. Nga njëra anë, një rritje më e shpejtë apo më e gjatë në kohë e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe një ritëm më i ngadaltë i konsolidimit fiskal, përbëjnë rreziqe të kahut të sipërm mbi inflacionin. Nga ana tjetër, një rimëkëmbje më e ngadaltë e ekonomisë botërore dhe shqiptare, si pasojë e zgjatjes në kohë të pandemisë apo e shtrëngimit të shpejtë të kushteve monetare në tregjet ndërkombëtare, përbën rrezik të kahut të poshtëm mbi inflacionin.

***

Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Stimuli monetar ndihmon rritjen e kërkesës për mallra dhe shërbime, kompenson reduktimin e pritur të stimulit fiskal, dhe krijon premisa për rritjen e punësimit, të pagave dhe të inflacionit në linjë me objektivin tonë.

Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;
të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 0.9%.
Në të njëjtën kohë, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se përmbushja e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm do të kërkojë normalizimin gradual të politikës monetare gjatë periudhës në vijim. Ky normalizim pritet të fillojë gjatë tremujorëve në vijim. Reduktimi i stimulit monetar garanton respektimin e objektivit tonë të inflacionit dhe krijon premisa për një rritje më të qëndrueshme ekonomike në afatin e mesëm e të gjatë.

Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e rreziqeve rreth inflacionit vazhdon të qëndrojë në kahun e sipërm, e diktuar nga kohëzgjatja dhe intensiteti i goditjes së ofertës në tregjet botërore. Sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës thekson se do të monitorojë me kujdes ecurinë e inflacionit dhe të faktorëve përcaktues të tij, për të siguruar – në çdo rrethanë – përshtatshmërinë e qëndrimit të politikës monetare me arritjen e objektivit të inflacionit.

***

Të nderuar përfaqësues të medias,

Në mbyllje të këtij komunikimi, duke përfituar dhe nga fakti se ky takim është i fundit për këtë vit, më lejoni të ndaj me ju një pasqyrë të shkurtër të punës së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit që po lemë pas.

Dy vitet e fundit kanë qenë të paprecedenta dhe sfiduese për ekonominë dhe Bankën e Shqipërisë. Megjithatë, me kënaqësi konstatoj se institucioni diti të ngrihet në lartësinë e sfidave dhe përmbushi me sukses detyrat e tij ligjore.

Siç e përmenda edhe në pjesën e parë të fjalës sime, politika monetare stimuluese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në procesin e rikuperimit të ekonomisë, pas goditjes së pandemisë.

Megjithatë, kjo politikë është shoqëruar me një vendimmarrje intensive të Bankës së Shqipërisë në drejtim të mbikëqyrjes, licencimit dhe rregullimit të veprimtarisë bankare. Thelbi i aktivitetit tonë mbikëqyrës ka qenë rishikimi i kuadrit rregullator, për të minimizuar pasojat e krijuara nga pandemia, por dhe vijimi i punës për konvergjencën e rregulloreve dhe praktikave tona të punës me standardet më të mira ndërkombëtare. Në kontekstin e pandemisë, Banka e Shqipërisë:

miratoi pezullimin deri në fund të muajit dhjetor 2021, të shpërndarjes së fitimit të vitit 2020 dhe të fitimit që do të realizohet gjatë vitit 2021 në industrinë bankare;
zbatoi disa ndryshime të përkohshme rregullatore, të cilat shtynë pagesat e kësteve apo lehtësuan procesin e ristrukturimit të kredive, për ato biznese dhe individë të vënë në vështirësi financiare nga pandemia.
Paralelisht me to, gjatë vitit të fundit, Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për zbatimin e detyrave të saj në kuadrin e licencimit, mbikëqyrjes dhe rregullimit të sektorit bankar. Gjej me vend të theksoj progresin e mëtejshëm që shënuam në fushën e konsolidimit të industrisë bankare me: përthithjen e propozuar të Bankës Alfa nga Banka OTP; vazhdimin e bashkëpunimit me autoritetet homologe, në kuadër të kolegjeve mbikëqyrëse dhe luftës ndaj pastrimit të parave; si dhe vijimin e punës për hartimin dhe rishikimin e kuadrit rregullator mbikëqyrës, duke synuar përafrimin e tij të vazhdueshëm me acquis të BE-së dhe standardet e Komitetit të Bazelit.

Dy vitet e fundit kanë shënuar zhvillime edhe në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme në banka, duke plotësuar kuadrin rregullator dhe metodologjik të ndërhyrjes së jashtëzakonshme me akte të tjera nënligjore dhe dokumente metodologjike, në harmoni me kuadrin rregullator evropian, si dhe duke përgatitur të plota planet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme për të gjitha bankat e sektorit bankar.

Në fushën e sistemeve të pagesave vëmendje e veçantë i është kushtuar përmbushjes së objektivit strategjik për nxitjen e përfshirjes financiare të popullsisë dhe përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave. Ndërhyrjet ligjore e rregullatore, zhvillimet infrastrukturore të ndërmarra nga viti 2018 deri tani, në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël, si dhe operacionalizimi i sistemit të shlyerjes së pagesave në Euro brenda vendit, kanë rezultuar të suksesshëm, ndërkohë që impakti i tyre pritet të bëhet dhe më i prekshëm në vitet në vijim.

Banka e Shqipërisë ka vijuar punën për administrimin e rezervës valutore, në përputhje me objektivat bazë të investimit të saj: likuiditetit dhe sigurisë. Në këtë drejtim, gjej me vend të theksoj se gjatë vitit 2021 u finalizua nënshkrimi i marrëveshjes së re me Bankën Qendrore Evropiane, e përfaqësuar nga Banka e Francës, për aprovimin e një linje krediti të kolateralizuar për shumën 400 milionë euro.

Me gjithë vështirësitë e krijuara, përgjatë gjithë periudhës, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të kontribuojë me përgjegjshmëri në procesin e integrimit evropian të vendit, në të gjitha dimensionet e tij. Më konkretisht, është mundësuar një shkallë e lartë plotësimi angazhimesh që rrjedhin nga Plani Kombëtar i Integrimit të Vendit, si dhe një pjesëmarrje aktive në të gjitha takimet me nënkomitetet përkatëse të BE-së.

Komunikimi me publikun ka qenë një prioritet konstant i Bankës së Shqipërisë. Në qendër të punës sonë ka qenë edhe mbetet zbatimi i një politike komunikimi të përgjegjshme dhe transparente, në mënyrë që të sigurohet që detyrat dhe aktivitetet e institucionit të kuptohen në mënyrë të drejtë nga publiku i gjerë. Për këtë arsye, Banka Kombëtare e Austrisë, në raportin e saj me titull “Fokus mbi Integrimin Ekonomik Evropian” për tremujorin e dytë 2021, ku ka analizuar transparencën dhe komunikimin e bankave qendrore të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore me publikun, e ka renditur Bankën e Shqipërisë në vendin e parë.

Emetimi i kartëmonedhës, siguria fizike e saj dhe miradministrimi i parasë fizike, përbën një drejtim tjetër të rëndësishëm të veprimtarisë sonë. Banka e Shqipërisë përballoi me sukses situatën e emergjencës të krijuar për shkak të pandemisë. Në muajin qershor 2021, u nënshkrua me BQE-në një marrëveshje për mbrojtjen e kartëmonedhës Euro nga falsifikimi, duke e bërë kështu Bankën e Shqipërisë pjesë integrale të procesit evropian në luftën kundër falsifikimit të kartëmonedhave.

Po ashtu, ne kemi vijuar punën për plotësimin e serisë se re të kartëmonedhave. Në muajin qershor të vitit 2021 u hodhën ne qarkullim edhe 2 prerje të tjera, ato 1,000 dhe 10,000 Lekë. Shtimi i kësaj të fundit, pra i kartëmonedhës me prerjen më të madhe në vlerën 10,000 Lekë, përbën edhe një risi në procesin e prodhimit të parasë sonë. Njëkohësisht, vlen të theksohet se në vitin 2021, kemi prodhuar edhe 2 kartëmonedhat e fundit të serisë, ato me prerje 500 dhe 2000 Lekë, të cilat pritet të hidhen në qarkullim në ditët në vijim, duke realizuar përfundimisht kompletimin e serisë sonë të re të kartëmonedhave, të përbërë nga 6 prerje.

Duke filluar nga data 17 janar 2022, kartëmonedhat e reja do të jenë në duart e publikut dhe do të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e serisë aktuale. Ato janë dizajnuar dhe prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës dhe janë të pajisura me elemente bashkëkohore dhe të sofistikuara sigurie.

Përmbushja e objektivave dhe rezultatet e Bankës së Shqipërisë nuk do të ishin të mundura pa vizionin, lidershipin dhe përkushtimin e Këshillit Mbikëqyrës. Ky Këshill ka garantuar mbarëvajtjen e punës së institucionit, si dhe ka orientuar e udhëhequr hartimin e Strategjisë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë.

Në punën e tij, Këshilli është asistuar dhe nga Auditimi i Brendshëm. Ky funksion i rëndësishëm u certifikua në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit të brendshëm, si dhe përmbushi angazhimet e planifikuara të auditimit.

Në përfundim, përfitoj nga rasti të theksoj se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një mbikëqyrëse e kujdesshme e realitetit ekonomik dhe financiar të vendit. Shumë sfida mbeten ende para nesh, por ajo që konstatoj me kënaqësi është se institucioni ynë është i aftë të përballet me to.

Duke shpresuar se viti 2022 do të sjellë përfundimin e pandemisë dhe kthimin në normalitet të jetës sociale dhe ekonomike, më lejoni të theksoj se Banka e Shqipërisë do të jetë plotësisht e angazhuar për marrjen e masave adekuate në përmbushjen e misionit të saj ligjor!

, tha Sejko.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: