Qeveria shqiptare gjatë dy viteve të fundit i ka kërkuar informacion rrjetit social Facebook lidhur më çështje kriminale. Nga të dhënat e raporteve të Facebook vihet re një rritje e dukshme e kërkesave për informacion mbi çështje kriminale që autoritetet shqiptare i kanë kërkuar rrjetit social në 6­ mujorin e fundit të vitit 2014.

Gjatë periudhës korrik 2014 ­dhjetor 2014 qeveria shqiptare i ka dërguar rrjetit social Facebook, 16 kërkesa në total, për 34 përdorues të gjigandit social, për të marrë informacion mbi çështje kriminale. Për këtë periudhë Facebook ka pranuar 25% të kërkesave të bëra nga autoritetet shqiptare, çka do të thotë se 75% e të refuzuarave kanë patur mangësi.

Pasi Facebook në sektorin ‘government requests report’ thotë se i jep përgjigje vetëm kërkesave të vlefshme në lidhje me çështjet kriminale. “Secila dhe çdo kërkesë që ne marrim kontrollohet për mangësitë ligjore dhe ne e refuzojmë ose kërkojmë më shumë specifika mbi kërkesat që janë tepër të gjera ose të paqarta”, thotë Facebook.

Për periudhën janar 2014­qershor 2014, autoritet shqiptare i janë drejtuar Facebook me 4 kërkesa në total, për 6 përdorues dhe rrjeti social ka prodhuar të dhëna për 75%. Për periudhën korrik 2013­dhjetor 2013 Facebook ka marrë nga qeveria shqiptare 6 kërkesa për 9 përdorues dhe ka përpunuar të dhëna për 83,33% të këtyre kërkesave. Sakaq për periudhën janar 2013­ qershor 2013 Facebook ka marrë 6 kërkesa në total nga autoritetet shqiptare, për 12 përdorues dhe i ka dhënë përgjigje autoriteteve shqiptare për 83% të tyre. Lajmi u raportua fillimisht nga BIRN, e cila kishte një raport me titullin “Facebook refuzoi 75 për qind të kërkesave të qeverisë shqiptare për informacion”.

 

(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: