*Cani: U gjetën me shkelje 10% e bizneseve
*Cani: Nuk do ketë rritje taksash

TIRANË- Ministri i Financave Shkëlqim Cani në një bashkëbisedim me gazetarët ka folur për ecurinë e operacionit anti-informalitet, duke u shprehur se deri më tani kur nuk është kontrolluar ende gjysma e bizneseve janë gjetur me shkelje 10% e bizneseve. “Bizneset janë lajmëruar më herët, por nuk e morën seriozisht”,- tha ministri.

Sipas tij operacioni vijon edhe në ditët e pushimit. Duke folur për reformën për informalitetin, Cani tha se nëse bizneset do të deklarojnë gjendjen e mallrave pa faturë deri më 31 dhjetor 2015, u hiqet penaliteti apo ndjekja penale, referuar ndryshimeve në ligjin e ri të procedurave tatimore, miratuar këtë javë në Kuvend. Ministri bëri të ditur se ende nuk është kontrolluar gjysma e biznesve. Ndërsa efektet e aksionit, sipas tij, pritet të shihen vitin tjetër.

“Të gjithë tatim-paguesit që kanë gjendje mallrash pa faturë dhe ata e ribëjnë deklaratën deri më 31 dhjetor 2015, u hiqet penaliteti dhe ndjekja penale. Kuptohet që nga një janari është tjetër histori, por kjo është për t’u ardhur në ndihmë bizneseve për të shfryrë pak dhe atë reagim të tyre që kjo fushatë, me demek, i kapi të papërgatitur. Biznesit të vogël ne duam t’i vijmë në ndihmë, u japim këtë mundësi kundrejt pagesës së detyrimeve normale. Mund të bëjë deklaratën tatimore të re duke paguar detyrimet normale që duhet të paguante. Ajo që dua të theksoj është fakti që është gjoba 500 mijë lekë për ata që nuk deklarojnë numrin e saktë të punësuarve dhe kur nuk deklarojnë pagën reale të të punësuarve. Kryesorja këtu është që ata të mos qëndrojnë në atë gjendje “skllavërie”, apo pa pensione”, tha ministri Cani.

Kreu i Financave deklaroi ndër të tjera se nuk do të ketë rritje taksash.

Ndërsa për punonjësit e administratës tatimore dhe doganore do të ketë dy vepra penale, ajo e deformimit të pasqyrave financiare dhe e dyta, punonjësit e tatimeve dhe doganave nuk duhet të kenë në pronësi qëndër kontabiliteti apo agjenci doganore.

“Një është që quhet vepër e rëndë penale, deformimi i paqyrave financiare, bashkëpunimi për shkeljen e ligjit për punonjësit e administratës tatimore. Dhe së dyti, punonjësi i administratës tatimore, nuk lejohet që të ketë në pronësi qendra kontabiliteti dhe konsulence. Ai i administratës doganore nuk mund të ketë agjenci doganore”, tha ministri.

Referuar shifrave aktuale të operacionit antiinformalitet, Cani tha se nga 1 gushti deri më 24 shtator janë regjistruar 19 mijë biznese të reja. Ndërsa gjatë 25 ditëve të shtatorit janë regjistruar 60 mijë punonjës të rinj.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi të shtunën se që nga data 28 shtator për 4 ditë me radhë Shqipëria do të jetë në tregjet kryesore europiane për të emetuar eurobondin, ndërsa siguroi se nuk do të ketë rritje taksash në vitin 2016, kjo e rënë dakord edhe me FMN-në. Është bërë njoftimi për Shqipërinë, që ka dalë në treg, tha ministri Cani gjatë një konference për shtyp që mbajti në ministrinë e Financave.

“Jemi në ndjekje të përditshme të situatës të tregut botëror. Po ndjekim çdo reagim. Zgjedhjet në Greqi, si dhe vendimet e FED-it nuk goditën tregun, çka është pozitive për ne, duke patur parasysh se para 5 vitesh kur dolëm me eurobondin e parë zgjedhjet në Greqi dëmtuan tregun”, deklaroi Cani.
Sipas tij, tregu po ecën në ato drejtime që ne kishim gjykuar dhe se monedha e zgjedhur është euro.

“Ende nuk mund t’u them a do ta marrim apo jo. Nëse do gjykojmë se norma e interesit dhe kushtet do të jenë të përshtatshme, do ta marrim”, u shpreh kreu i financave publike. Sipas tij, situata e Shqipërisë është komode, pasi nuk kemi presion sepse eurobondi tjetër do të maturohet në nëntor dhe se qeveria i ka paratë për ta shlyer atë. Në varësi të tregut, theksoi Cani, do të vendosim nëse eurobondi do të jetë në vlerë 300 apo 500 milionë euro. “Ne po punojmë intensivisht për të dalë në tregun ndërkombëtar. Nesër nisem në një tur nëpër kancelaritë europiane, si Londër, Vjenë, apo Frankfurt, për të takuar investitorë potenciale”. u shpreh ministri Cani.

Sipas tij, Shqipëria e ka edhe planin B për të marrë borxh në tregun e brendshëm, por ne synojmë të mos ndërhyjmë në kredidhënie për të lënë hapësirë kredidhënies në tregun e brendshëm gjatë vitit që vjen. Por, siguroi ministri Cani, emetimi i eurobondit nuk do të rrisë borxhin publik.

Ministri Cani tha se do të presim për të parë reagimin e tregut ndërkombëtar sa i takon eurobondit pasi theksoi ai ne dalim një herë në 5 vjet në treg dhe e testojmë atë se ku na pranon. Sqarimi i ministrit u bë lidhur me një shkrim të Financial Times, e cila e quante Shqipërinë vend ekzotik. Për këtë, ministri tha se kur del një herë në 5 vite, duhet te testosh tregun se ku të pranon dhe quhesh vend ekzotik.

Ndërsa duke folur për skanimin në dogana, ministri tha se tashmë vendosja e taksës është sanksionuar me ligj, edhe pse janë vërejtur disa probleme teknike. “E dimë që biznesi ka shqetësime kontrata e vjetër ishte e njohur, të gjithë e dinin që në nuk donim..Pala tjetër na çoi në arbitrazh, sugjerimet na thanë se e keni të vështirë të fitoni në arbitrazh dhe rinegociuam..Ishte e papranueshme që ne të rishikonim gjithë kontratën, siç ishte çmimi nga 39 ne e ulëm në 22 euro. Kjo shumë duhet paguar pavarësisht se kalon apo jo në një pikë doganore ku ka apo jo skanim.. Ka disa probleme teknike..do ti bëjmë disa rregullime për të shmangur problemet teknike. Shpresoj ketë të mërkurë qeveria të kalojë ndryshimet”,- tha ai.

Sipas ministrit, skanimi me Rapiscan nuk rrezikon popullatën. “Nuk ka asnjë risk nga skanimi, kemi të gjitha dokumentet që s’ka asnjë dëm për popullatën”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: