Nga: Vjollca Kongjoni*

TIRANË- Reformat që qeveria ka vendosur të ndërmarrë në muajin shtator kundër informalitetit ka gjetur mbështjetjen e komunitetit të biznesit dhe ekspertëve të ekonomisë. Ata e shohin si domosdoshmëri në kushtet kur nga administrata tatimore e doganore nuk arrihet të mblidhen të ardhurat në buxhetin e shtetit. Por për ta nuk është ende koha që ndaj subjekteve që shkelin ligjin, të përdoren masa ekstreme me burg sikurse u lançua nga kryeministri disa ditë më parë.

”Fjala burg është shumë e rëndë, nuk është mirë të përdoret herë pas here. Ne duhet ti imponohemi sipërmarrjes nëpërmjet edukatës fiskale. Në kushtet kur institucionet që zbatojnë ligjin si prokuroria dhe gjykatat vuajnë ende nga niveli i lartë i korrupsionit, burgu do të përdoret si një pre për ti bërë presion biznesit. Kësaj forme do ti vijë koha vetëm kur neë të kemi institucione të formalizohen”,- thotë Luan Bregasi.

Ndërsa për Artan Gjergjin, ”Lufta ndaj evazionit fiskal tashmë është bërë për jetë a vdekje, por nuk jam në favor të masave ekstreme. Ne jemi një vend që pretendojmë të tërheqim investime të huaja direkte. Nëse në kryefjalë kemi fjalën burg atëhere kush do të vinte në Shqipëri për të investuar?…”

”Evazioni fiskal në Shqipëri sot është bërë i frikshëm. Nëse ky nuk ngre sistemin ai do të dështojë. Ka dy vjet që thonë do ngremë sistemin por se ka ngritur. I ka lidhur kasat me serverin qëndror, po taksat lokale, po doganat e tatimet me QKR, jo si ka ngritur, ky do ishte sistemi”,- shprehet Agim Binaj.

Por çfarë është më emergjente aktualisht për të ndryshuar situatën dhe luftuar informalitetin. Presidenti i Biznes Albania mendon se masa më e mirë janë taksat e ulëta dhe zgjerimi i bazës së tatim paguesve. Reforma brenda administratës tatimore, kurim i ligjislacionit tatimor dhe konsolidimi i institucioneve shihen si prioritet edhe nga ekspertët.

”Rruga më e mirë për të rritur të ardhurat janë taksat. Të tentohet për të përmirësuar mekanizmin dhe performancën e administratës tatimore dhe doganore duke i futur të gjiithë në sistemin e tatim- taksave. Jashtë kësaj skeme janë të gjitha profesionet e lira”,- shton Bregasi.

”Ka nevojë për një reformë të thellë në administratën tatimore, sidomos në aspektin e adinistrimit fiskal dhe jo vetëm. Duhet një farë kurimi edhe i legjislacionit tatimor. Jemi në kushtet kur legjislacioni tatiomor ka ndryshuar shumë shpesh duke çorientuar biznesin dhe ndikuar në rritjen e evazionit fiskal”,- shprehet Gjergji.

Sipas Binajt, ”Në qoftë se duan mirëadministrim baza është vullnet dhe trimëri të inspektorëve të tatimeve dhe taksave, por me njerëz të devotshëm. Përveç sistemit duhen edhe njerëzit për ta kryer këtë gjë”.

Për sipërmarrësit dhe ekspertët informaliteti dhe evazioni fiskal në Shqipëri duhen luftuar në mënyrë të vazhdueshme dhe jo me aksione.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: