TIRANË- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë mbështet qeverinë në luftën e saj ndaj informalitetit në ekonomi dhe evazionit fiskal. Kreu i kësaj dhome, Nikolin Jaka në një konferencë për mediat deklaroi se ekonomia dhe sipërmarrja kanë probleme të shumta, më i rëndi informaliteti dhe evazioni fiskal e për këtë arsye mbështet çdo reformë ligjore të ndërmarrë nga qeveria shqiptare.

“Luftë informalitetit dhe evazionit fiskal. Ekonomia dhe sipërmarrja probleme të shumta, më i rëndi informaliteti dhe evazioni fiskal. DHTI mbështet çdo reformë ligjore të ndërmarrë nga qeveria shqiptare”, theksoi Jaka.

Gjithashtu kreu i DHTI-së tha se ka raste kur inspektorët tatimorë kanë abuzuar me bizneset dhe se ky operacion i paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama ka lidhje pikërisht me administratat.

“Informaliteti dhe evazioni vjen nga administrata fiskale. Takimi i kryeministrit me drejtuesit e administratës tatimore e doganore e tregoi më së miri këtë”, u shpreh ai.

Jaka shprehu besim për aksionin e qeverisë dhe se kjo luftë do të kthehet në një proces të zakonshëm të zbatimit të ligjit.

“Besojmë që aksioni i qeverisë do të jetë efecient. Ne kemi shumë besim se kjo luftë të kthehet në një proces të zakonshëm të zbatimit të ligjit. Kritikën duhet ta bëjmë në bashkëpunim që të jemi objektiv. Por mund të marrim reformat e tjera që qeveria ka bërë. DHTI do jetë shumë e vëmendshme ndaj çdo kontrolli ndaj sipërmarrjes shqiptare. Bizneset duhet të jenë të ndershëm e të formalizuar. Jam pozitiv për të mbështetur reformën. Nëse kjo do të devijojë gjatë rrugës, atëherë kemi hapësirat për të bërë edhe kundërshtimet. I bashkëngjitemi kësaj reforme”, tha Jaka, duke kërkuar mbështetjen e mediave por edhe qytetarëve dhe bizneseve.

Jaka tha se DHTI së shpejti do të dalë edhe me një propozim për paketën fiskale 2016. Në përfundim ai apeloi që “të ndërgjegjësohemi për taksat në mënyrë që të heqim qafe atë taksidarin e korruptuar”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb