TIRANE – Gjatë fjalës së tij në konferencën e organizuar në kuadër të nismës së OKB-së, “17 objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm”, zv/kryeministri Niko Peleshi theksoi se lufta kundër informalitetit është opsioni i duhur për të rritur mirëqenien e qëndrueshme të vendit. Sipas Peleshit, qeveria ka vendosur t’i qëndrojë në krah biznesit të ndershëm dhe të pastrojë tregun nga konkurrenca e pandershme.

“Opsionet e mbetura në tavolinë për rritjen ekonomike janë, ose të reduktojmë informalitetin, ose të rendojmë me taksa apo mënyra të tjera, rëndesa administrative atë pjesë që paguan. Opsioni i tretë do të ishte rritja e borxhit. Këtë nuk e bëjmë sepse jemi angazhuar që nuk do ta rrisim borxhin publik, por do ta reduktojmë atë. S’bëjmë dot as opsionin e dytë. Kemi vendosur t’i qëndrojmë në krah biznesit të ndershëm dhe ta pastrojmë nga konkurrenca e pandershme. Lufta kundër informalitetit është një luftë për të rritur mirëqenien e qëndrueshme”- deklaroi Peleshi.

VALHUTIN: BE, 1 MILIARD EURO PËR ZHVILLIMIN E QËNDRUESHËM
Ambasadorja e BE-së, në vendin tonë Romana Vlahutin, në fjalën e saj apeloi që Shqipëria duhet të arrijë zhdukjen e varfërisë. Ajo shtoi se BE-ja do ta mbështesë me 1 miliard euro për zhvillimin e qëndrueshëm. “Shqipëria është një vend aspirant për ne BE që duhet ta ndihmojmë të rritet, për zhvillim të drejtë të qëndrueshëm”.

Në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm, ambasadorja e BE-së, tha se duhet të ketë “tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe informalitetit”. “Jetë dhe dinjitet për çdo qytetar, pa varfëri dhe me shumë drejtësi”, shtoi ajo

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb