TIRANË- Ndërsa ndodhej në një takim me grupet e interesit për informalitetin në shëndetësi, Kryeministri Edi Rama nuk ka ngurruar të përdorë sërish fjalën burg. “Heqje liri për inspektorët jo kur të kapen me para në dorë, por kur zona e veprimtarisë së tyre të gjendet në informalitet”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë gjithashtu deklaroi se në paketën ligjore që do të miratohet së shpejti nga parlamenti parashikohet heqje lirie edhe për skllavopronarët, pra për ata që punësojnë njerëz në të zezë. Rama kërkoi bashkëpunim dhe formalizim të gjitha institucioneve shëndetësore, laboratorëve të ekzaminimeve dhe shërbimet dentare.

“Nuk mund të kërkojmë formalizimin edhe një dyqani fruta-zarzavatesh pa kërkuar formalizimin në shërbimin privat shëndetësor, në shërbimin dentar në Republikën e Shqipërisë. Nuk është e lehtë për ne, jo për ju, por jam i bindur që është e mundur, prandaj besoj që ky operacion ka si domosdoshmëri komunikimin intensiv me gjithë aktorët në treg, përpara se të gjenden përballë ligjit. Është shumë e rëndësishme që paralelisht me domosdoshmërinë për të forcuar rendin ligjor në ekonomi, forcojmë edhe dijen që më mirë të paguash atë që të takon se sa të detyrohesh të paguash shumë tepër, për shkak të kapjes në veprimtari të paligjshme”, deklaroi kryeministri.

Rama solli shifra nga 6 ditët e para të operacionit kundër informalitetit në ekonomi. Ai tha se të dhënat janë drithëruese por edhe inkurajuese.

“Në 6 ditët e para të operacionit ne kemi marrë të dhëna drithëruese për nivelin real të informalitetit, por edhe shumë inkurajuese për faktin se potenciali është i jashtëzakonshëm, që të gjithë marrin atë që i takon. Dhe që secili të marri atë që i takon si qytetar nga shteti që duhet të administrojë në funksion të qytetarëve të ardhurat që i takojnë. Në vetëm 6 ditë krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar, kuponët kanë shkuar nga 3.9 mln në 6.2 mln. Vlera e tatueshme nga 68 mln dollarë në 82 mln dollarë. Pa diskutim është vetëm simptoma më e parë e një transformimi organik që do të na çojë në shifra shumë herë më të pakrahasueshme me njëra-tjetrën”, tha ai.

Edhe njëherë kryeministrit theksoi se ky operacion nuk është një luftë ndaj biznesit por synon të bëjë atë që duhet për një vend normal e demokratik, që qytetari të marrë mbrapsht si shërbim atë që paguan nga xhepi për konsum.

“Ky operacion nuk është një luftë ndaj biznesit, as një shtypje e biznesit të vogël, sikundër edhe mund të duket apo komentohet qëllimisht, por është një operacion që synon të bëjë atë që bën çdo vend normal demokratik dhe shtet serioz. Që çfarë paguan si individ, ta marrë mbrapsht si qytetar. Çfarë individi nxjerr nga xhepi për qëllime konsumi, ta marrë si qytetar në shërbime. Shteti nuk mundet të jetë në lartësinë e përgjegjësisë së tij, nëse arka e shteti vidhet përditë, duke devijuar paratë që i takojnë, individëve si qytetarë në kanalet e hajdutërisë, ose informalitetit”, deklaroi kryeministri.

Rama tha se formaliteti i shërben edhe rritjes së transparencës në marrëdhënien mes pacientit dhe institucionit shëndetësor. “Kjo marrëdhënie shërbimi është edhe ekonomike. Nëse kuponi tatimor përdoret gjerësisht në farmacitë e vendit, s’mund ta themi të njëjtën gjë për shërbimet dentare, s’mund ta themi për ekzaminimet laboratorike apo imazherike. Lufta kundër informalitetit do të sjellë barna dhe materiale mjekësore më të sigurta. Sepse paralelisht me kërkesën për zbatimin e detyrimeve nga të gjithë, ne do të angazhohemi me të gjitha forcat për të penguar ata që e deformojnë tregun në mënyrë të pandershme të dëmtojnë ata të cilët i nënshtrohen kuadrit ligjor në aktivitetin e tyre”, u shpreh Rama.

Kreu i ekzekutivit theksoi se informaliteti nuk është vepër ekskluzive e aktorëve të tregut, duke u fokusuar tek puna e inspektorëve në terren. Rama paralajmëroi ndëshkime të rëndë deri në heqje lirie për ata që fshehin aktivitetin e subjektit për të marrë ryshfet.

“Zinxhiri i formalitetit nuk fillon dhe nuk mbaron vetëm përmes hallkave të një malli që prodhohet, importohet, shpërndahet dhe në fund shitet. Pjesë jetike e këtij zinxhiri janë inspektorët, bashkëpunëtorë aktivë në mbajtjen lidhur të zinxhirit të hajdutërisë. Për këtë arsye në paketën ligjore kundër informalitetit, ndëshkimi për të gjithë ata inspektorë që fshehin aktivitetin e subjektit që kanë për qëllim të kontrollojnë apo bashkëpunojnë për të njëjtin qëllim në funksion të marrjes së ryshfetit do të ndëshkohen me heqje lirie. Jo kur të kapen me para në dorë, por kur zona e veprimtarisë së tyre të gjendet e kontaminuar nga ky bashkëpunim. Unë mund ta kuptoj një shitës në një fshat të largët që nuk jep kupon, por nuk mund ta kuptoj këtë gjë në mes të qytetit. E vetmja mënyrë është që inspektori të gjendet në librin e pagave të pronarit të farmacisë”, deklaroi kryeministri.

Rama gjithashtu paralajmëroi edhe pronarët që mbajnë punonjës të padeklaruar dhe të pasiguruar.

“Paketa e re ligjore ka vetëm një përcaktim për çdo rast kur në një kompani apo aktivitet tregtar zbulohet një skllav, një vajzë, një djalë, një burrë, një grua që nuk ekziston por që si hije punon edhe jashtë orarit për të marrë një copë bukë. Heqje lirie për skllavopronarët. Mund të ketë nga ata, por do jenë nga ata që kanë kurajë aq të madhe sa ta bëjnë hallall faktin që për të pasur skllevër të marrin parasysh edhe heqjen e lirisë”, u shpreh ai.

Honorar për çdo skllav që denoncon skllavopronarin

Duke folur gjatë takimit Rama ka deklaruar se do të ketë shpërblim për gjithë ata që denoncojnë informalitetin nga pronarët e tyre, duke iu garantuar ruajtja e anonimitetit. “Do të këtë honorar me garancinë e ruajtjes së anonimitetit për cdo skllav që do të denoncojë skllavopronarin e tij, ne do inkurajojmë qytetarët që në shembullin e disa të tjerëve, që kur nuk u jepet kupon të mos paguajnë dhe të denoncojnë”­ tha Rama. Rama ka deklaruar se ndëshkimi kush kapet në shkelje të ligjit do të jetë shumë i lartë. “5 mijë euro kush nuk jep kupon dhe kush gjendet me inventar të parregullt 100 mijë euro”­. tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb