TIRANË- Qeveria nis sot një operacion të gjerë kundër informalitetit, përmes së cilit synohet futja në shinat e ligjshmërisë për të gjithë ato biznese që nuk punojnë konform ligjeve të shtetit shqiptar. Kryeministri Edi Rama deklaron se që nga sot Shqipëria është në luftë me fenomenin e informalitetit, një luftë patriotike sië e quajti ai. “Kjo është luftë patriotike për një Atdhe ku rrënjët ushqehen nga të gjithë sebashku. Amaneti i të parëve tanë dhe detyrimi që kemi për fëmijët tanë”.

Rama e quajti operacionin e nisur sot më të vështirin e ndërmarrë nga shteti, por të nevojshëm për ta rilindur atë. “Ka filluar të vijë era shtet, për të bërë shtetin që duam ne dhe që meritojnë fëmijët tanë duhet ende një punë kolosale dhe pjesë shumë e rëndësishme e saj është operacioni rrënjësor që nisim sot. Një operacion në mbrojtje të konsumatorit dhe bizneseve që paguajnë taksa dhe kundër hajdutërisë. Në këta 11 muaj është bërë shumë, për ta luftuar informalitetin, mjaft të shohësh numrin e lartë të kuponave të lëshuar. Operacioni është kryeprioriteti i qeverisë sonë në 300 ditët e treta të këtij mandati qeverisës, mu ashtu siç bëmë ndaj grabitësve të energjisë elektrike vëmendja jonë do jetë në maksimum, sepse kjo është luftë, Shqipëria është në gjendje lufte me këtë fenomen, njësoj si kultivimi i narkotikëve që dëmton më shumë se sa duket, edhe ky zinxhir hajdutërie dëmton shumë më tepër, se shkon përtej shifrave, cenon procesin e rilindjes së organizmit të këtij shteti dhe kësaj shoqërie, për ti përkitur qytetërimit evropian”,- tha Rama më tej.

Rama paralajmëroi edhe inspektorët e tatimeve, duke iu treguar hekurat në rast të abuzimit me detyrën.
“Prapa hekurave do shkojnë të gjithë ata që ndihmojnë normalitetin.. Kemi çuar në Kuvend një paketë të re, ku ka rëndim të masave për çdo inspektor që merr para nga biznesi. Administrata duhet të ketë sjellje shembullore, të veprojë ligji dhe jo goja”.

Ndërsa duke u ndalur tek puna në të zezë, kryeministri deklaroi se nuk do të lejojë që në Shqipëri të ketë skllevër dhe skllavopronarë.

CANI: DO SIGUROJME RRITJE PAGASH DHE ULJE TAKSASH
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani i cili mbajti fjalën në një takim të mbajtur në kuadër të këtij operacioni theksoi se suksesi i tij do të sigurojë rritjen e pagave dhe uljen e taksave. Cani theksoi se kur “Aleanca për Shqipërinë Europiane” erdhi në pushtet, situata ekonomike e vendit ishte në ditën e saj më të zezë që pas vitit ’97.
“Ne kishim në dyert tona 10 miliardë lekë fatura në thesar për t’u paguar, një borxh të trashëguar i padeklaruar prej 70 miliardë lekësh dhe një borxh publik mbi 70.5 % të PBB-së, ndërsa realizimi i të ardhurave më pak se 87%”, u shpreh Cani.
Kreu i Financave publike vuri në dukje se qeveria ndërhyri me një sërë reformash në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtare. Ulëm taksat, shlyem mbi 60 miliardë lekë detyrime të prapambetura si dhe zbatuam një sërë reformash në arsim, energji, pensione, reformën territoriale ndërsa sot, vijoi fjalën Cani, po nisim reformën kundër informalitetit.

Kjo reformë si edhe të tjerat, vijoi ai, synojnë stabilitetin makroekonomik të vendit me synim rritjen ekonomike, uljen e borxhit publik si dhe përmirësimin e mirëqënies së qytetarëve.
Duke bërë një analizë të treguesve fiskal, Cani tha se në vitin 2014 mblodhëm 40 miliard lekë më shumë të ardhura nga viti 2013, ndërsa në 7 muajt e parë të vitit 2015 janë realizuar mbi 10 miliardë lekë edhe pse nuk kemi arritur atë qe kemi synuar. Më tej, Cani shpjegoi edhe mungesën e 15.5 miliardë lekëve në buxhet. “Pas një analize të plotë është konstatuar se 2.3 miliardë lekë nga 15.5 miliardë lekë për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare. Ne si qeveri, jemi ose përfitues ose të dëmtuar nga konjuktura ndërkombëtare ose humbës. 1.3 miliardë lekë për shkak të uljes së importit të energjisë elektrike. Jemi të lumtur që ne synojmë të prodhojmë në vend energji. 1.2 miliard lekë për shkak të uljes së normave të interesit. Ulja e normave të interesit nxit ekonominë dhe krijon mundësi për kreditimin e biznesit. 730 milionë lekë për shkak të lehtësirave fiskale në importin e makinerive e lëndëve të para. Ne, këtë kemi synuar, me qëllim rritjen e prodhimit të vendit. Fituam shumë nga ekonomia pasi nxitet prodhimi vendas. 500 milionë lekë nga importi i ushqimeve. Bujqësia po prodhon më shumë. 44 % më shumë është rritur eksporti i mallrave bujqësore. 2.2 miliard lekë i mungojnë buxhetit për arsye se TVSH e rimbursuar me sistemin e ri bëhet automatikisht. Qeveritë e mëparshme i mbanin 1-3 miliardë lekë rimbursim pa iu dhënë biznesit. Ne hoqëm dorë nga kjo. 2 miliardë lekë për shkak të rritjes më të ulët të inflacionit, rritjes së çmimeve që edhe pse e parashikuam, nuk u vërtetua. Ne kishim parashikuar 2.5 % por u rritëm vetëm 1.3 %. 3.2 miliard lekë për shkak të akcizës së cigareve. Ka rënë dukshëm importi. Eshtë zëvendësuar me prodhimin e vendit, i cili nuk është i përfshirë dhe është i paregjistruar”, sqaroi ministri Cani.

FAGU: NE DO TA FITOJMË KËTË BETEJË!
Drejtorja e Doganave Pranvera Fagu, në eventin për lançimin e fushatës kundra informalitetit tha se synohet që me anë të këtij aksioni synohet të vendoset
sundimi i plotë i ligjit në hapësirën ekonomike dhe tregtare të vendit.

“Jemi sot këtu jo për të dubluar veprimtarinë rutinë të institucioneve tona, por për t’i dhënë një dimension të ri përpjekjeve të përbashketa. Një shembull konkret i bashkëpunimit të suksesshëm ishte aksioni i para pak ditëve në Shkodër, kundër prodhimit dhe tregtimit të paligjshëm të duhanit dhe cigareve. Ne jemi të vendosur për të luftuar informalitetin dhe kemi gjithçka për ta bërë këtë. Sepse jemi në krah të ligjit. Jemi në krah të ligjit dhe të të gjithë atyre bizneseve të ndershëm që paguajnë rregullisht taksat. Nisja e këtij aksioni është një moment për t’u dëshmuar të gjithëve, por në radhë të parë operatorëve ekonomikë, se Administrata Doganore është aty për t’u shërbyer dhe jo për t’i cënuar. Ne do ta fitojmë këtë betejë me informalitetin, sepse nuk po luftojmë me bizneset por me paligjshmërinë. Fitues do të jenë bizneset dhe konsumatorët”.

Sipas saj, “Janë pikërisht këta konsumatorë, nga të cilët ne presim shumë. E përsëris, presim të denoncojnë çdo shkelje, çdo abuzim dhe çdo shpërdorim nga punonjësit doganorë. Ne po ashpërsojmë masat ndëshkuese për shkelësit e ligjit, por edhe për punonjësit doganorë që bashkëpunojnë dhe ndihmojnë këta shkelës. Ky mesazh le të shërbejë në radhë të parë për administratën, si dhe për operatorët ekonomikë, sepse vetëm në këtë mënyrë krijohet një mjedis kompetitiv dhe më i sigurt, ku përfituesit më të mëdhenj jemi të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi.

SHEHAJ: INFORMIM BIZNESEVE
Drejtoresha e Tatimeve, Briseida Shehaj deklaroi se ky aksin është i rëndësishëm, i domosdoshëm dhe i nevojshëm. Ajo shtoi se, “nuk do të ketë penalizim për bizneset, për informim për ta. Ndëshkim do ketë për jokorrektet”. Ndër të tjera Shehaj ftoi edhe bizneset të denoncojnë çdo sjellje joetike të punonjësve të përfshirë në aksion.

AKSIONI
Operacioni kundër informalitetit do të konsistojë në dy faza. Fillimisht është plani i veprimit afatshkurtër dhe më pas do të jetë hartimi i një plani veprimi përfundimtar 2-vjeçar (2016-2017). Ky plan përfundimtar do të jetë gjithpërfshirës dhe pritet të jetë gati në muajin dhjetor 2015.
Sa i përket planit të veprimit afatshkurtër, i cili starton sot, ai ka si qëllim të promovojë aktivitetin formal, rritjen e punësimit formal si dhe rritjen e zbatimit vullnetar të ligjit dhe pagesës së taksave dhe tatimeve.
Një tjetër synim i planit afatshkurtër është rritja e kapaciteteve të kontrollit. Plani i qeverisë, ndër të tjera synon edhe zhvillimin e kapaciteteve të kontrollit/auditimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Në këtë kuadër synohet përmirësimi i shkëmbimit të të dhënave ndërinstitucionale dhe ashpërsimi i penaliteteve për shkelësit e ligjit.
Plani synon edhe gjithëpërfshirjen në luftën kundër informalitetit të publikut, biznesit, institucioneve, por edhe median. Si pjesë e planit synohet të rritet komunikimi ndërinstitucional dhe pjesëmarrja e publikut dhe biznesit të ndershëm. E gjithë kjo bëhet për të mbrojtur konsumatorin.
Qeveria gjithashtu kërkon ndërgjegjësimin e biznesit të ndershëm, duke e ftuar atë të bëhet pjesëmarrës në këtë operacion në luftën kundër informalitetit, teksa fokusi kryesor i operacionit do të jetë biznesi i madh me vet-deklarimet apo pasqyrat financiare.
Ndërsa nga publiku kërkohet ndërgjegjësim për aspektin pozitiv të formalizimit, ku pagesa e taksave do të thotë përfitim i shërbimeve publike. Tërheqja e kuponit tatimor e kthen çdo qytetar në inspektorin e parë tatimor. Gjithashtu publikut do t’i bëhet e qartë se ka sanksione për mos tërheqjen e kuponit tatimor.
Sa i përket administratës shtetërore, do të ketë sensibilizm për detyrimin që ka për tërheqjen e kuponit tatimor. Ky plan konsiston edhe në aspektin legal, ku do të ketë ashpërsim të masave ligjore për moszbatuesit e ligjit. Do të ketë ashpërsim të masave ligjore për administratën tatimore dhe doganore. Do të ketë detyrim për t’u trajnuar dhe testuar, si dhe do të ketë ashpërsim të masave në rastet e korrupsionit të administrates.
Gjithashtu pritet të ketë ndryshime ligjore për rritjen e incentivave për zbatimin e ligjit. Plani do të konsistojë edhe në identifikimin e zonave, sektorëve dhe bizneseve me risk të lartë, si sektori i karburanteve, duhanit, profesionet e lira (audituesit, ekspertët kontabël etj.)
Do të krijojhet një task-forcë e përbashkët me përfshirjen e DPT, DPD, sektorit kundër Krimit Ekonomik, Inspektoratit të punës. Do të thjeshtohen strukturat operativo – hetimore të DPD dhe DPT. Gjithashtu do të ketë thjeshtim të procedurave të hetimit, kontrollit dhe vlerësimit të DPT dhe DPD. Do të ketë rritje të kapaciteteve, aftësive profesionale, komunikuese, bashkëvepruese të administrates si dhe promovim i korrektëve dhe ndëshkim i jo korrektëve.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: