*Kryeministri mbledh drejtoret e tatim-taksave ne vend
*Çdo biznes të vendosë një tabelë, ku konsumatorit i thuhet se ka të drejtë të mos paguajë nëse nuk merr kuponin

* Ulja e informalitetit, e barabartë me një hov në zhvillimin ekonomik

* Bizneset të regjistrohen para se të nisë operacioni rrënjësor për këtë sëmundje

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me drejtorët e tatim-taksave në kuadër të nisjes së aksionit të madhe kundër informalitetit të bizneseve.

Rama paralajmëroi ndryshime ligjore që do ti paraqiten Kuvendit si masa ndaj atyre bizneseve që nuk paguajnë tatimet dhe nuk regjistrohen.

“Betejë kundër paligjshmërisë. Ne dëshirojmë që secila dhe secili prej jush të jetë pjesë e zgjidhjes së informalitetit. Paralajmërim për secilin prej jush. Kryefjala e këtij kapitulli të ri që duhet të çelim, kjo nuk është betejë kundër biznesit, por një betejë për të mbrojtur konsumatorin, biznesin dhe shtetin shqiptar. Fjalia juaj e parë për çdo ditë tuajën, respekt dhe falënderim për çdo biznes. Ne ju doganat e tatimet do kërkojmë ndihmën e qytetarëve. Të denoncojnë çdo sjellje apo qasje, apo veprim të padenjë të punonjësve të doganave apo tatimeve. Do tu vëmë në dispozicion adresa, numra telefona. Për çdo rajon apo degë të sistemit tuaj do të ketë një plan të detajuar. Një tabelë rezultatesh të pritshme dhe të krahasuar në mënyrë periodike me rezultatet e arritura”, tha Rama.

Sipas kryeministrit ulja e informalitetit është e barabartë me një hov në zhvillimin ekonomik.

“Ne kemi angazhuar në terren ekipet për të sonduar. 1/3 e subjekteve ose nuk janë fare të regjistruar ose nuk kanë kasa fiskale, ose nuk i përdorin. Një nga masat që do të marrim do të jetë një thirrje publike dhe po ashtu detyrimi për çdo biznes që të vendosë një tabelë, ku konsumatorit i thuhet se ka të drejtë të mos paguajë nëse nuk merr kuponin”, deklaroi kryeministri.

Kreu i ekzekutivit i ka bërë apel bizneseve që ushtrojnë aktivitet tregtar të paregjistruar të regjistrohen para se të nisë operacioni rrënjësor për këtë sëmundje.

“Unë sot dhe në ditët në vijim të gjithë ju, vazhdojmë t’ju bëjmë apel të gjithë bizneseve që ushtrojnë aktivitet tregtar të paregjistruar të regjistrohen. Të regjistrohen para se të nisë operacioni rrënjësor për këtë sëmundje të patolerushme. Të vendosin kasat fiskale,  të mos ju japin më blerësve fatura që s’kanë më asnjë vlerë ligjore”, u shpreh ai.

Gjithsesi Rama nënvizoi faktin e mbajtjes së një fryme mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me biznesin. Sipas tij lufta ndaj informalitetit ka si qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe bizneseve të regjistruara.

“Të gjithëve ju dua t’ua përsëris, ne duam mirëkuptim dhe bashkëpunim me biznesin  jo luftë me biznesin. Duam të mbrojmë çdo konsumator. Duam të jemi në krah të çdo biznesi që paguan taksat dhe që dëmtohet nga konkurrenca e pandershme. Ne nuk duam të ushtrojmë forcën e ligjit, para se të përdorim forcën e arsyes”, theksoi kryeministri Rama.
Rama garantoi se koha nuk pret dhe se cdo lidhje e paligjshme dot pritet nga më i madhi deri tek më i vogli.

“Ne do të vazhdojmë me këmbë në tokë këtë operacion.
Koha po skadon dhe këtë apel duhet ta përsërisim deri në fillimin e operacionit, për të shkulur cdo lidhje të paligjshme.
Ky operacion nuk ka në fokusin e vet më të vegjlit, por në radhë të parë më të mëdhenjtë ndaj përgatitja e operacionit ka nisur tek më të mëdhenjtë me një analize të detajuar të shtabit. Nafta, cigarja, tregtia me shumicë do jenë në qendër të përpjekjes sonë frontale, por zinxhiri i informalitetit ka një fillim dhe një fund, nuk do lemë asnjë hallkë pa kontrolluar nga më të mëdhenjtë deri tek më të vegjlit”.

Ata e lanë vendin 23 vjet pa kontrolluar, sot terreni është i përgatitur dhe fara e kulturës së ligjit dhe e sjelljes në bazë të ligjit që përfitojnë sadoqoftë tani është mbjellë ne na duhet vetëm ta kultivojmë”, u shpreh Rama.

Pas kësaj deklarate mbledhja vijoi e mbyllur për mediat.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: