NGA GERILINA KODHELI

TIRANE- Përvoja në “Dance with me” ka qenë një ndër më të bukurat për Ingrit Gjonin. Këngëtarja ka rikujtuar edhe njëherë pasionin e saj të adoleshencës, kërcimin, hapat e parë të së cilit, siç tregon ajo, ia ka mësuar babai i koreografit Albi Nako. Ndonëse shumë pranë çmimit të parë, Ingriti në natën finale të “Dance with me” u vlerësua me çmimin e “Performancës” duke plotësuar kështu edhe ambicien e saj të fillimit, që siç tregon ajo, ishte “të kisha performanca të shkëlqyera gjithmonë”. Çfarë ka ndodhur në prapaskenat e spektaklit dhe sa është zhgënjyer që nuk e ngriti kupën e fitores ajo, Ingriti na i rrëfen në këtë intervistë.

Ingrid je vlerësuar me çmimin “Performanca më e mirë” në “Dance with me”. Je e kënaqur?

Jam shumë e kënaqur, pasi është çmim i rëndësishëm, që vlerësoi të gjithë elementët e kërcimit.

Prisje çmimin e parë?

Unë prisja vetëm që të dilja mirë, por mu bë shumë qejfi që fitoi Albëria me Veselin, i kam shumë miq. Atje ishte një lojë dhe dëshiroja të dilja ashtu siç dola.

Nuk u ndjeve e zhgënjyer, meqë performancat e tua janë vlerësuar gjithmonë pozitivisht?
Jo, aspak. Kam dashur gjithmonë që të kisha performancë të shkëlqyer, ky ishte qëllimi im. Jemi kënaqur të gjithë aty.

Gjatë 14 javëve ke mësuar më shumë të kërcesh?
Kanë qenë koreografitë e Albi Nakos të bukura, por unë kam mësuar të kërcej që e vogël. Elementët e parë të baletit i kam mësuar nga babai i Albit dhe isha pak gati.

Çfarë të ka ngelur peng nga e gjitha kjo përvojë?
Asgjë, të gjitha kërcimet i kam bërë, kam kërcyer dhe jam kënaqur çdo javë.

Na trego diçka për prapaskenat e finales, çfarë ka ndodhur aty?
Jemi kënaqur të gjithë, ka qenë një kast i paparë. Nuk ka ndodhur asnjë incident, vetëm jemi argëtuar me njëritjetrin.

Gjatë këtyre javëve anëtarët e jurisë kanë qenë paksa të ashpër me ju. I keni lënë tashmë pas?
Mua juria nuk më ka ngacmuar asnjëherë, çdo natë vetëm më kanë lavdëruar.

Je ndjerë e përkëdhelur për këtë fakt?
E kam merituar, por edhe nëse do më shanin unë nuk do ktheja përgjigje, sepse unë e di që aty ka një panel dhe e vlerësoj mendimin e tyre.

Cili nga çiftet e tjera mendon se meritonte të ishte në finale?
Stine, por në fakt aty të gjithë meritonin të ishin në finale, të gjithë janë shumë të mirë, janë të famshëm në fushën e tyre dhe shumë të talentuar. Unë personalisht dola e kënaqur nga çmimi që mora.

Ku do ta festosh ndërrimin e viteve? Në New York. Me familjen, apo për punë?

Këtë vit jam larg familjes për punë, do të jem me koncerte.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: