TIRANË

Analisti Mentor Nazarko ka komentuar në News24 takimin e fundit të “Open Balkan” mes liderëve të tre vendeve, por jo vetëm duke nisur nga rrafshi politik, e duke vijuar tek rezultatet konkrete ekonomike për tre vendet si dhe me refuzimin nga tre vendet e tjera.

Nazarko tha se iniciativa po merr formë të plotë, teksa po gjen mbështetje dhe nga BE e SHBA, duke kujtuar pjesëmarrjen e dy zyrtarëve eurpianë e amerikan në takimin e sotëm.

“Domethënia duhet parë në rrafshin e përditshmërisë së qytetarëve, të bizneseve, të cilët puna i lidh me homologët, me bashkëpunëtorë në vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut apo Serbia në territore të cilat nuk janë vetëm ai i Shqipërisë. Kjo iniciativë ka disa momente interesante, shpeshtësia e takimeve të nivelit të lartë të cilat janë informale në një kuptim sepse nuk kanë një datë fikse, një rend fiks, por dhe në ndërkohë kanë një princip votimi i cili nuk është konsensusi, palët merren vesh për ato që mund të merren vesh, ndërkohë që parimi i konsensusit është ai i BE. Kemi parë shpeshtësimin e këtyre takimeve. Kemi parë të firmosin marrëveshje të cilat kanë vlerë praktike, për grupe të caktuara interesash, individësh apo biznesesh dhe siç duket kjo iniciativë po formësohet, po merr një formë edhe më të plotë sa kohë që po i bashkohen iniciativës dhe dhomat e biznesit të tre vendeve apo biznese. Kjo iniciativë ka një dimension që lidhet me relaksimin, apo me krijimin e një lloj marrëdhënieje ndërpersonale të liderëve të Ballkanit. Kjo marrëdhënie ndikon edhe në marrëdhëniet mes shoqërive. Ç’ka është tjetër e rëndësishme për t’u vlerësuar është fakti që pas një mëdyshjeje reciproke të BE-së dhe SHBA-ve, të cilët zakonisht preferojnë ato iniciativa që i kontrollojnë, kjo iniciativë po gjen mbështetjen e tyre. BE nëpërmjet komisionerit Varhelyit i bëri thirrje dhe vendeve të tjera jo pjesëmarrëse që t’i bashkohen, ndërkohë që për SHBA-të, ndonëse nuk kishte veshje zyrtare, ishte Jim O’Brien, (Këshilltar i Lartë në Këshillin Atlantik), një këshilltar veteran i zonjës Albright, por i afërt dhe me administratën Biden deri në atë pikë sa ai do të jetë prokurori mbikëqyrës për pasuritë e ngrira të politikanëve në Ballkan”, deklaroi Nazarko.

Po çfarë mund të sjellë në rritjen e ekonomive të vendeve kjo iniciativë nëse konkretizohet? Nazarko tha se sipas ekspertëve hapja totale në tregun në Ballkan do ta trefishonte përbërësen bujqësore të GDP-së për secilin prej vendeve.
“Nga sa u bë publike njëra nga përmasat e rëndësishme të takimit të Tiranës ishte bujqësia, zhvillimi i agro-industrisë. Ngjan që po shndërrohet në një lloj përbërëse edhe e veprimtarisë diplomatike e z. Rama, nxitja e aktivitetit të Universitetit Bujqësor të Kamzës, ndërlidhja e tij me universitete elitë në SHBA apo në Ballkan. Nga ekspertë që folën sot u tha se hapja totale në tregun në Ballkan do ta trefishonte përbërësen bujqësore të GDP-së për secilin prej vendeve. Natyrisht ky bashkëveprim ndërballkanik ndodh në kushtet kur Serbia dominon tregun ballkanik me produktet e saj, për shkak të sipërfaqes më të madhe, për shkak të traditës në zhvillimin ekonomik dhe bujqësor, sigurisht dhe për shkak të lobimit të saj të fuqishëm në sektorë të caktuar, siç është ai i miellit apo në qoftë se dalim jashtë sektorit bujqësor edhe në energji apo në fusha të tjera. Nëse do niseshim nga status-quo-ja aktuale nuk do kishim asnjë lloj përparimi”, tha ai.

Nazarko theksoi se përmasa që i krijon pak problem edhe vendeve jo të përfshira hë për hë në këtë iniciativë është ajo e relaksimit të marrëdhënieve ndërpersonale midis tre liderëve dhe shfaqja e Serbisë me një veshje tjetër.

“Shkrimet e mediave ballkanike, por edhe mediave perëndimore e kanë paraqitur Serbinë kohët e fundit si një lloj Rusie të vogël, një vend që po militarizohet dhe natyrisht për sivllezërit tanë kosovarë Serbia është vend i cili ka bërë gjenocid jo shumë larg në kohë, 20 vjet përpara pa shlyer faturën që i takon sipas ligjeve ndërkombëtare dhe kjo është ajo pjesa që ende vazhdon të nxisë animozitet në mediat apo në faktorë të caktuar politikë apo individë duke gjetur një farë rezonance të rëndësishme në shoqërinë dhe në klasën politike të Kosovës”, u shpreh Nazarko.

Lidhur me atë çfarë ka sjellë kjo iniciativë, ai tha se tregu i hapur do të gjeneronte energji të re, do gjeneronte kapacitet përbashkuese midis kompanive të tre vendeve.

“Një pjesë e të dhënave të këtyre studimeve u bën publike sot. Afërmendsh që tregu i hapur në një rajon si ky i joni që është shumë i vogël edhe me kufij të hapur do të gjeneronte energji të re, do gjeneronte kapacitet përbashkuese midis kompanive të tre vendeve. Kjo është një iniciativë që ka sigurisht një dimension politik që lidhet me atë që BE nuk do që Ballkani t’i bjerë derës së vet duke sjellë në shtëpinë e madhe evropiane sherret e saj të pazgjidhura. Në këtë kuptim, kjo që po ndodh sot me Ballkanin e Hapur, fryt i një iniciative të George Soros që në vitin 2000 me një editorial, është një lloj ushtrimoreje demokracie apo fqinjësie të mirë mes tre shteteve, ku Serbia është shteti më sherrxhi dhe që i ka krijuar probleme Ballkanit. Sa i takon të dhënave të bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimit bujqësor do i referohesha një pjese të studimeve që u bënë publike sot. Ndërkohë do doja t’ju thosha që po, frika që nga kjo hapje e kufijve Serbia do të përfitojë më shumë është legjitime. E njëjta frikë legjitime do duhet të ekzistojë nëse ne hapemi ndaj BE-së që përfaqëson një ekonomi shumë herë më të fuqishme se sa ajo serbe. Së dyti, fakti që ne do t’i hapim kufijtë me Serbinë, edhe mbi bazën e marrëveshjeve të vjetra, nuk na kishte penguar, nuk na ka penguar, nuk duhet të na pengojë që midis kompanive shqiptare, të Shqipërisë dhe të Kosovës të ishin krijuar realitete të cilat të rivalizonin këto kompani serbe në sektorë të caktuar, ku ne kemi veçori të cilat na bëjnë më konkurrencialë, apo kemi avantazhet tona”, deklaroi Nazarko.

Lidhur me refuzimin e tre vendeve të tjera për t’iu bashkuar dhe gjasat që kanë për të qenë pjesë, ai e sheh me optimizëm Malin e Zi, skepticizëm Bosnjën, teksa e cilëso itë gabuar një pjesë të pretendimeve të Kosovës, duke theksuar se duhet të vijë me një qasje konstruktive.

“Së pari Mali i Zi ka dhënë shenja të rëndësishme për t’iu bashkuar kësaj iniciative. Bosnja ka një realitet kompleks, ka një presidencë tre palëshe, një kroat, një serb, një boshnjak mysliman, të cilët nuk arrijnë të gjejnë konsensus për gjëra më të rëndësishme ekzistenciale e jo më për ‘Balkanin e Hapur’, ndërkohë që Kosova ka një përbërëse legjitime në refuzimin e saj që lidhet me ekonominë. Këto lloj pretendimesh kanë qenë çuar përpara nga LDK-ja kur ishte në qeveri, ndërkohë që pjesa tjetër e pretendimit të Kosovës është e gabuar, e dëmton Kosovën. Është pjesë e një qasjeje që nuk është duke e jetësuar vetëm kjo qeveri, vetëm politikanë që sot janë në rolet më të rëndësishme, por për fat të keq e ka pasur një pjesë e rëndësishme e politikanëve të të dy krahëve apo dhe të shoqërisë civile, sipas së cilës ne nuk duhet të ulemi me Serbinë pa kërkuar falje. E vërteta është që Kosova është ulur me Serbinë që nga 1998 e këtej në dhjetëra raste, e vërteta është që Kosova nuk e ka këtë qasje refuzuese thjesht dhe vetëm për Ballkanin e Hapur, por e ka edhe mbi dialogun me Serbinë që është pista kryesore të cilën Kosova duhet ta kishte mbyllur me kohë sepse pritja për kohëra më të mira të cilat mund të mos vijnë asnjëherë e dëmton më shumë Kosovën. Paradigma me të cilën Kosova është vetëdëmtuar, apo është dëmtuar për shkak të marketingut negativ të Serbisë ka qenë paradigma që ne jemi konstruktivë, ne e duam dialogun, kurse pala tjetër, Kosova nuk e do.

Në rasti ne Rambujesë, ku Kosova ka qenë konstruktive në dialog, ne i pamë rezultatet, Bashkësia perëndimore e bombardoi Serbinë. Edhe në rastin konkret, Kosova duhet të jetë konstruktive qoftë në planin e bashkëpunimit rajonal, qoftë në planin e dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli”, tha Nazarko

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb