Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se Task- Forca anti-COVID do të vijojë ntensifikimin e kontrolleve në terren me kapacitete të shtuara, 24 orë në 7 ditë të javës për zbatimin e masave dhe protokolleve të sigurisë për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Gjatë inspektimit në terren bashkë me drejtorin e përgjithshëm të policisë, Ministrja Manastirliu u shpreh se situata në të cilën ndodhemi është serioze, ndaj nuk mundet të tolerohet asnjë neglizhencë e bizneseve për moszbatimin e masave dhe protokolleve.

“Jemi në një situatë serioze, ku moszbatimi i masave dhe rregullave nga bizneset cënojnë shëndetin e popullatës pasi ndikon në përshkallëzimin e infeksionit. Ne nuk mundemi dot më të tolerojmë neglizhencën. Ne nuk mundemi dot më të tolerojmë marrëzinë për të mos ju përgjigjur protokolleve dhe rregullave. Nuk mundemi dot të bëjmë një sy qorr dhe një vesh shurdh, kur shohim që masat nuk zbatohen në një biznes dhe ata të cilët shërbejnë nuk mbajnë maskë, kur shohim që në restorante ka një grumbullim përtej masës së lejuar dhe kur në supermarket shërbejnë pa vendosur maskat”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë paralajmëroi ashpërsimin e masave për shkelësit e ligjit. “Do të shtojmë grupet e inspektimit dhe kontrollet në qytetet që konsiderohen vatra për arsye të numrit të të prekurve, por gjithashtu për gjatë gjithë bregdetit do të vijojmë me kapacitete të shtuara sa I përket inspektimet, verifikimit të protokolleve dhe masave dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë dhe nuk duhet të ketë asnjë tolerancë për të gjithë ata të cilët nuk zbatojnë protokollet. Nuk ka më këshillime por do të vijohet me gjobat dhe mbyllje e aktivitetit për shkeljet e përsëritura. Askush nuk e do këtë por kjo është për të mirën e shëndetit të gjithësecilit”, tha Manastirliu.

Duke kërkuar bashkëpunimin e biznesit dhe qytetarëve, Ministrja e Shëndetësisë tha se jemi ende në kohë për të frenuar përhapjen e virusit.

“Virusi vetvetiu të mbyll, duhet të marrim masa sa jemi në kohë dhe jemi në kohë për të përmirësuar sjelljen individuale, jemi në kohë për të ndërgjegjësuar bizneset dhe të gjithë qyetetarët se kjo luftë varet nga gjithësecili prej nesh, ne jemi në terren, task forca anti-COVID është në terren, shteti është ketu për t’ju pergjigjur gjithë nevojave të qytetarëve, por nga ana tjetër kjo luftë kërkon angazhim personal”, tha Manastirliu.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu u shpres se policia e shtetit është e angazhuar jo vetëm për monitorimin e personave që janë të konfirmuar pozitivë dhe duhet të qëndrojnë të izoluar por edhe në ndihmë të Task-Forcës ne terren për ndjekjen dhe zbatimin e protokolleve për frenimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me grupet e tjera të Task Forcës anti-COVID: Drejtorinë Tatimore, Inspektoratin e Punës, AKU, Policinë e Shtetit, kanë vendosur mbi 356 masa administrative dhe kanë realizuar mbi 97 mijë inspektime dhe monitorime për zbatimin e protokolleve të sigurisë.

Vetëm në 24 orët e fundit janë kryer 1408 inspektime në të gjitha qarqet e vendit. Nga inspektimet janë marrë 9 masa administrative.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb