Kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë shqiptare, Artur Metani ka zhvilluar sot një takim me Maria Rosaria Covelli, drejtuese e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë Italiane. Forcimi i marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe shkëmbimi i praktikave më të mira në fushën e inspektimeve dhe hetimeve disiplinore kundër gjyqtarëve, ishin synimet e Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar mes tyre ditën e sotme.

I pranishëm në takim ishte edhe shefi i kabinetit, Raffaele Piccirillo, i cili përcolli përshëndetjet e administratës për delegacionin shqiptar.
Marrëveshja e nënshkruar përbën një hap të rëndësishëm në marrëdhënien e bashkëpunimit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, e cila ka vite që ka nisur edhe falë mbështetjes së projekteve ndërkombëtare dhe dypalëshe të asistencës gjyqësore. Format e bashkëpunimit të parashikuara në nenin 2 të memorandumit përfshijnë: shkëmbimin e informacionit mbi praktikat dhe përvojat në lidhje me hetimet disiplinore administrative të magjistratëve, mbi metodologjinë e inspektimeve dhe përgatitjen e planeve vjetore dhe mbi “metodat e komunikimit me publikun”, në mënyrë që të sigurohet një ekuilibër midis parimit të drejtësisë së hapur dhe respektimit të parimit të konfidencialitetit dhe të dhënave personale.

“Inspektorati Shqiptar”, -u shpreh Artur Metani- “aspiron të gjejë një ekuilibër të saktë mes interesit publik në dhënien e drejtësisë dhe mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe për këtë arsye ka lidhur një marrëveshje me Inspektoratin Italian me qëllim përvetësimin e modeleve që mund të frymëzojnë zgjidhje për të arritur këtë qëllim”.

Maria Rosaria Covelli, pasi nënshkroi marrëveshjen, konkludoi se: “Inspektorati italian pranoi me entuziazëm ftesën e homologut shqiptar, me bindjen se bashkëpunimi i zyrtarizuar sot me marrëveshjen do të përbëjë një pasurim të ndërsjellë, duke konsoliduar më tej marrëdhëniet tashmë të shkëlqyera të Italisë me Shqipërinë”. Ministrja e Drejtësisë, Marta Cartabia, theksoi rëndësinë e marrëveshjes në kuadrin e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe shkëmbimit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: