NGA SONILA MUSAJ

TIRANE- muaj më parë Shkëlqim Hajdari ësh të emëruar me një vendim të Këshillit të Ministrave si kryeinspektor i përgjithshëm. Hajdari ka qenë dhe ish-kryetar i Shoqatës së Prokurorëve, ndërkohë që me këtë vendim të qeverisë ai kalon kryeinspektor dhe ka në përgjegjësi të gjitha inspektoratet e tjera. “Gazeta Shqiptare” ka zhvilluar një intervistë me z. Hajdari, i cili u shpreh se do të fillojë sa më shpejt inspektimet online, ku të gjitha inspektoratet duhet t’i bëjnë inspektimet në terren pranë biznesit, pranë enteve dhe procesverbalet e konstatimit të inspektimeve qofshin këto në shkelje, apo inspektime që konstatojnë rregullshmëri të biznesit. Hajdari u shpreh se reformimi i sistemit të inspektimeve në Shqipëri do fillojë vetëm nëpërmjet inspektimeve online.

Z. Hajdari, së fundmi kanë dal në pah disa problem që kanë të bëjnë me sigurinë e jetës, siç janë ushqimet jashtë parametrave të duhur. Çfarë masash do të merren ndaj inspektorateve që kanë për detyrë kontrollimin e mallrave apo ushqimeve?
Për kontrollin e ushqimeve Shqipëria ka gjithsej 12 inspektorate shtetërore dhe së shpejti do krijohen edhe 61 inspektorate që janë pjesë e njësive vendore dhe bashkive. Aktualisht nga 12 inspektorate qendrore, 6 inspektorate nëpërmjet drejtimit nga inspektorati qendror janë pjesë e një portal i cili është një mekanizëm i kontrollit online të inspektimit i ndërtuar para dy vitesh si pasojë e një bashkëpunimi nëpërmjet qeverisë shqiptare dhe USAID. Këto 6 inspektorate tashmë janë të gatshme që inspektimet e tyre t’i fillojnë online. Synimi ynë është që fundi i muajit tetor të 6 inspektoratet të fillojnë inspektimet online në subjektet private dhe në entet që kontrollojnë. Pra, për t’ju përgjigjur pyetjes suaj reformimi i sistemit të inspektimeve në Shqipëri do filloj nëpërmjet inspektimeve online.

Çfarë të mirash sjell inspektimi online?
Inspektimi online, përpilimi i dokumentacionit të shkeljeve që konstatohen në vendin ku është trupa e inspektimit, do të ulë korrupsionin, do të rrisë përgjegjshmërinë e trupave të inspektimit në mënyrë që të fusim në një marrëdhënie ligjore inspektoratet dhe, nga ana tjetër, të mbrojmë fort bizneset e ndershme nga abuzimet që mund t’i vijnë. Pra, ai person në terren është me shërbim GPS me vete. Ne e dimë dhe kontrollojmë. Do ketë dhe shërbim interneti që të mos thotë: Jam në pyll dhe nuk e bëj dot këtë inspektim ose jam në kufi. Ai nuk do të mundet që të mos e bëjë procesverbalin aty ku është, sepse ne e dimë vendndodhjen.

A keni urdhëruar apo do të urdhëroni një inspektim të përgjithshëm për inspektoratet, pasi neglizhenca e tyre sjell pasoja të mëdha në shumë fusha?
Aktualisht që po flasim inspektorati qendror po ushtron kontrolle në të gjithë inspektoratet e Shqipërisë për problematikat që do të konstatojnë. Grupet e inspektorëve tanë që janë në terren s’do të njoftojmë kryeministrin se cila është gjendja, duke përfshirë të 12. Gjithsesi, unë mendoj se inspektimi është në një fazë delikate. Qeveria shqiptare në prioritetet e saj ka si qëllim transparencën. Në lidhje me inspektimet, edhe në takimet që kemi bërë me kryeinspektorët në prani të ministres Harito dhe përfaqësuesve të Usaid ne do kërkojmë fort, unë si inspektor i përgjithshëm do kërkoj fort që inspektimet të bëhen online dhe trupat e inspektimit të kthehen në trupa teknikë dhe profesionalë. Kartën e inspektimit që është atribut i inspektorit të përgjithshëm do ta marrin vetëm ata inspektorë, të cilët kalojnë disa teste, duke filluar që nga përgatitja e tyre profesionale për të zbatuar ligjin dhe të gjitha parametrat e tjerë.

Ka pasur raste që inspektorët janë përfolur se janë të korruptuar, a keni ju një plan për të çrrënjosur korrupsionin?
Unë mendoj se korrupsioni çrrënjoset duke bërë reforma strukturore. Korrupsioni është një fenomen, i cili, nëse ne nuk jemi të aftë të bëjmë pjesë të inspektimeve metodat më bashkëkohore që kanë vendet europiane siç janë, Britania e Madhe dhe vendi fqinj Italia, Greqia, korrupsioni nuk mund të luftohet më këtë gjendje dhe me këtë mënyrë organizimi që kanë inspektoratet që të jetë efecient. Ne e kemi prioritet si hap të parë për të luftuar korrupsionin dhe për t’ju kthyer inspektimit në inspektime profesionale siç është inspektimi online. Prioritetet janë ndarë në 3 faza. Synojmë që brenda këtij viti të nxjerrim të 12 inspektoratet e Shqipërisë në inspektimet online, duke filluar nga kryeqyteti me programe pilot, e duke u shtrirë pastaj në të gjithë Shqipërinë. Deri në fund të këtij viti do regjistri i inspektorëve vendorë.

Si një ish prokuror a do të ndikojë kjo detyrë që u është besuar në një kërkesë llogaridhënie për inspektoratet që janë më problematike?
Ne duam të ndryshojmë sistem të ri, ne nuk duam të kërkojmë llogari me autoritet të inspektorit të përgjithshëm, por ne llogari duhet të kërkojmë mbi bazën e një sistemi tjetër që ka element transparence.

Kjo detyrë e re mendoni se do të jetë një trampolinë për promovimin tuaj në institucionet e reja të drejtësisë që pritet të lindin me miratimin e reformës?
Unë kur e marr përsipër një detyrë nuk jam nga ata zyrtarë që ndërtojnë mekanizma në kokën e tyre ose që e përdor këtë për të shkuar diku tjetër. Jam i vendosur që këtë punë që kam marrë përsipër ta bëjë në përmbushje të ligjit dhe ju siguroj që nëse ka reformë administrate shqiptare, ju siguroj se inspektimi online do jetë një nga reformat më rëndësishme që do marrë produkt i gjithë publiku shqiptar. Kjo do të thotë që nëpërmjet imponimit ligjor do të ketë trupa të inspektimit të ushqimit në Shqipëri, e cila do të sjellë përmirësimin e ushqimit në Shqipëri. Gjithashtu, do kemi mbrojtje të pyjeve në Shqipëri, do kemi mbrojtje të jetës së qytetarëve dhe minatorëve që punojnë nëpër miniera, do kemi ilaçe më të mira në Shqipëri.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: