Shitjet neto të bizneseve vitin e kaluar u rriten me 4.4% dhe investimet me6.3%, raportoi sot INSTAT. Në vitin 2016, ndërmarrjet që operojnë në aktivitetet e prodhimit të të mirave dhe shërbimeve realizuan 1.882 miliardë lekë shitje neto duke rezultuar me 4,4 % rritje krahasuar me vitin 2015.

Investimet e realizuara arritën vlerën 221 miliardë lekë nga 208 miliardë lekë në 2015, duke shënuar rritje prej 6,3 %. Në këtë periudhë, numri gjithsej i të punësuarve u rrit me 7,9 %. Në prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve operojnë 108.528 ndërmarrje aktive. Numri i tyre u rrit me 3,8 %, krahasuar me vitin 2015.

Kontributin më të madh në rritjen prej 4,4 % të shitjeve neto e dhanë prodhuesit e shërbimeve me +3,7 pikë përqindje, të ndjekur nga prodhuesit e të mirave me +0,7 pikë përqindje.

Gjatë vitit 2016, sektori i tregtisë zë peshën më të lartë të shitjeve neto me 48,1 %, i ndjekur nga sektori i ndërtimit me 11,5 %. Sektorët me peshën më të vogël janë sektori i akomodimit dhe restoranteve (2,3 %) dhe sektori i industrisë nxjerrëse (3,4 %), raportoi INSTAT.

Situatë e ngjashme paraqitet për treguesin e punësimit. Në rritjen prej 7,9 % të punësimit, prodhuesit e shërbimeve dhanë kontributin më të madh në rritje me +4,7 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e të mirave kontribuuan me +3,2 pikë përqindje.

Dy sektorët me peshën më të lartë të punësimit për vitin 2016 janë sektori i tregtisë me 24,3 % të punësimit dhe sektori i shërbimeve të tjera (arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj.) me 21,7 %, të ndjekura nga sektori i industrisë përpunuese me 20,3 % të të punësuarve gjithsej.

Gjatë vitit 2016, investimet e realizuara u rritën me 6,3 %, ku prodhuesit e të mirave kontribuan pozitivisht me 14,4 pikë përqindje, ndërsa prodhuesit e shërbimeve kontribuan negativisht me 8,1 pikë përqindje.

Prodhuesit e shërbimeve zunë 28,3 % të investimeve nga 38,2 % që zinin vitin e kaluar. Sektori me vlerën më të lartë të investimeve të realizuara është sektori i energjisë elektrike dhe ujit, i cili për vitin 2016 ka investuar 94 miliardë lekë duke zënë 42,4 % të investime gjithsej.

Peshën më të vogël të investimeve e zënë sektorët e akomodim dhe restoranteve (2,2 %) dhe industria nxjerrëse (2,8 %).

Numri i ndërmarrjeve aktive për vitin 2016 u rrit me 3,8 %. Prodhuesit e shërbimeve kontribuan me +3,2 pikë përqindje në rritjen e numrit të ndërmarrjeve aktive dhe prodhuesit e të mirave me +0,6 pikë përqindje.

Sektori me numrin më të madh të ndërmarrjeve është ai i tregtisë (41,5 %) i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera (20,0 %) dhe sektori i akomodimit dhe restoranteve (18,5 %). Gjatë 2016, sektori i industrisë nxjerrëse pati numrin më të vogël të ndërmarrjeve aktive të cilat zunë 0,5 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej.

Shitjet neto paraqiten me rritje si për prodhuesit e të mirave, ashtu dhe prodhuesit e shërbimeve. Sektori i industrisë nxjerrëse është i vetmi sektor me ulje të shitjeve neto prej 22,9 %. Industria nxjerrëse ka kontribuar negativisht me -1,0 pikë përqindje në rritjen prej 4,4 % të shitjeve neto.

Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përbënë 1,1 % të ndërmarrjeve aktive dhe realizuan 44,5 % të shitjeve neto. Këto ndërmarrje zunë 40,0 % të të punësuarve gjithsej dhe realizuan 47,3 % të investimeve.

Nga rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve vërehet se ndërmarrjet me 1-4 të punësuar kanë kontributin më të madh të shitjeve neto me +1,7 pikë përqindje të ndjekura nga ndërmarrjet me 50 edhe më shumë të punësuar me +1,5 pikë përqindje në ndryshimin vjetor gjithsej të shitjeve neto.

Në ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar mbizotërojnë prodhuesit e të mirave për numrin e ndërmarrjeve (55,3 %), numrin e të punësuarve (54,7 %) dhe investimeve të realizuara (74,2 %). Në këtë grup ndërmarrjesh, vlera më e lartë e shitjeve, u realizua nga prodhuesit e shërbimeve me 54,4 %.

Ndërmarrjet me 1-4 të punësuar përbënë 89,0 % të ndërmarrjeve gjithsej. Në këto ndërmarrje u punësuan 32,7 % të të punësuarve gjithsej dhe u realizuan 15,3 % të shitjeve neto. Në ndërmarrjet me 1-4 të punësuar mbizotërojnë prodhuesit e shërbimeve për numrin e ndërmarrjeve (89,7 %), numrin e të punësuarve (87,6 %), shitjet neto (82,7 %). Në këtë grup ndërmarrjesh, vlera më e lartë e investimeve u realizua nga prodhuesit e të mirave me 67,5 %.

Gjatë vitit 2016, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar zunë 4,6 % të ndërmarrjeve prodhuese të të mirave dhe realizuan 60,9 % të shitjeve neto. Numri i të punësuarve në këtë grup zuri 61,3 % të të punësuarve në prodhuesit e të mirave, ndërsa investimet arritën vlerën 78 miliardë lekë dhe përbënë 48,9 % të investimeve. Ndërmarrjet në grupin me 1-4 të punësuar përfaqësuan 71,7 % të ndërmarrjeve të prodhuesve të të mirave gjatë 2016 dhe punësuan 11,4 % të të punësuarve. Ky grup ndërmarrjesh realizoi 7,9 % të shitjeve neto dhe 6,9 % të investimeve për prodhuesit e të mira.

Në prodhuesit e shërbimeve, rezulton që shitjet neto në 2016 janë rritur 5,6 % krahasuar me vitin 2015, numri i të punësuarve u rrit 7,3 % dhe numri i ndërmarrjeve u rrit me 3,7 %. Investimet gjatë 2016 për prodhuesit e shërbimeve rezultuan me rënie 21,1 % krahasuar me vitin 2015.

Gjatë vitit 2016, ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar përbëjnë 0,5 % të ndërmarrjeve aktive në prodhuesit e shërbimeve dhe realizuan 36,3 % të shitjeve neto. Në këtë grup investimet arritën vlerën 27 miliardë lekë dhe përbënë 43,2 % të investimeve. Ndërmarrjet në grupin me 1-4 të punësuar përfaqësuan 91,6 % të ndërmarrjeve aktive, punësuan 44,6 % të të punësuarve të prodhuesve të shërbimeve dhe realizuan vlerën më të vogël të investimeve, prej rreth 5 miliardë lekë duke përbërë 8,4 % të investimeve të realizuara nga prodhuesit e shërbimeve. /Monitor/

tabela-dy

tabela-4

tabela-3

tabela

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb