TIRANË- Në muajin nëntor sipas Institutit të Statistikave, deficiti tregtar shënoi një rritje me 10.5% në krahasim me muajin nëntor të vitit të kaluar, ndërsa pësoi një ulje me 12.5% në krahasim me muajin paraardhës.

Të dhënat e INSTAT për tregtinë e jashtme tregojnë se në muajin nëntor të këtij viti eksportet e mallrave arritën vlerën 21 miliardë lekë, duke u rritur me 1.2 % në krahasim me nëntorin e vitit 2013 dhe duke u ulur me 4.6 % në krahasim me tetorin e 2014.

Rritje më të madhe vjetore kanë patur eksportet e grupeve, “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 30.9 %, “ushqime, pije, duhan” me 26% dhe “tekstile dhe këpucë” me 14.6 %.

Rënie më të madhe vjetore patën eksportet e grupit “lëkurët dhe artikujt prej tyre” me 24.3%. Në muajin nëntor 2014 importet e mallrave arritën vlerën 48 miliardë lekë, duke u rritur me 6.1 % në krahasim me nëntor 2013 dhe duke u ulur me 9.1 % në krahasim me tetor 2014.

Rritje më të madhe vjetore kanë patur importet e grupeve: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 26%, “Prodhime druri dhe letre” me 20% dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 13.1%. Rënie më të madhe vjetore patën importet e grupit “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 10.7 %.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 26 miliardë lekë, duke shënuar një rritje me 10.5 % krahasuar me nëntor 2013 dhe duke u ulur me 12.5 % në krahasim me tetor 2014. Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 65.3 % të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 37.7 % të totalit, Greqia me 6.8%, Kina me 6.4 % dhe Turqia me 6.0 %.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb