TIRANE- Instituti i Statistikave raportoi se tregtia me pakicë ka regjistruar një ecuri pozitive në tremujorin e tretë të vitit kur indeksi i volumit të shitjeve është rritur me 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në raport me tremujorin paraardhës, ky tregues, i përshtatur sezonalisht, është rritur 2 %.

rritja vjetore është ngadalësuar ndjeshëm këtë vit, në krahasim me nivele prej 6 dhe 8% që u raportuan në dy tremujorët e fundit të vitit të kaluar.

Rritje për gjithë grupet me përjashtim të hidrokarbureve
INSTAT vlerën se në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, indeksi i volumit të shitjeve ka pësuar një rritje prej 3,4 %, kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm.

“Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve, është rritur 1,7 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016. Indeksi i volumit të shitjeve, për grupin “Produkte jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur në nivelin 4,5 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës, duke dhënë në këtë tremujor ndikimin kryesor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë.

Në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është ulur 4 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016”.

Ndryshimi tremujor në indeksin e volumit të shitjeve i përshtatur sezonalisht
Po kështu i njëjti indeks vlerëson se në tremujorin e tretë 2017, indeksi i volumit të shitjeve i përshtatur sezonalisht, në grupin e tregtisë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, është rritur 3,2 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2017.

“Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht, është rritur 2,7 %, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht në tregtinë me pakicë, për grupin “Produkte jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur 3,4 %, kundrejt tremujorit të mëparshëm.

Në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi i volumit të shitjeve përshtatur sezonalisht është rritur 0,6 %, kundrejt tremujorit të dytë 2017” thuhet në indeksin e INSTAT./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: